E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, 7.4 milionë fletë votimi për zgjedhjet e 8 majit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton numrin e fletëve të votimit që do të shtypen për zgjedhjet e 8 majit.Në mbledhjen e zhvilluar dje paradite, u votua me 7 vota pro prodhimi i rreth 7.4 milionë fletëve, të cilat do të shpërndahen në 386 komuna, bashki dhe minibashki të vendit. Megjithëse, Partia Socialiste në KQZ ka hedhur dyshime mbi numrin e zgjedhësve dhe të fletëve të votimit. Kodi Zgjedhor parashikonte që krerët e njësive të qeverisjes vendore të dërgonin në KQZ brenda datës 8 prill numrin e qendrave të votimit dhe të zgjedhësve për njësitë që ata mbulojnë. Por, rreth gjysma e tyre e kanë zbatuar këtë detyrim. Drejtori i Teknologjisë në KQZ, Petrit Gjokuta, duke prezantuar projektvendimin, tha se “mbi 50 për qind kanë ardhur direkt nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore”. Sipas tij, pjesën tjetër e kanë dërguar prefektët. “Kanë ardhur nga prefektët, të cilët me firmën dhe vulën e tyre na informojnë ne që njësitë e qeverisjes vendore të qarkut që ata mbulojnë kanë këtë sasi të qendrave të votimit, me numrin e zgjedhësve. Ne nuk e kemi marrë ashtu siç thotë udhëzimi i KQZ-së, që kryetari jo më vonë se një muaj nga dita e zgjedhjeve duhet të sjellë në KQZ këto të dhëna. Duke qenë se ata nuk i sollën me ndërlidhësin e Ministrisë së Brendshme, u kërkuan ndihmë dhe prefektët me përgjegjësinë e tyre kanë marrë masat dhe na e sollën”, tha Gjokuta. Në këtë pikë, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj, hodhi hije dyshimi mbi besueshmërinë e këtyre listave për faktin se prefektët janë përfaqësuesit e qeverisë në nivel vendor. “Unë mendoj se çështja e besueshmërisë së të dhënave që ju keni, duhet të marrë një lloj bisede në KQZ. Jo më kot u interesova për burimin e të dhënat. Diçka më shumë se 50% është diçka më shumë se gjysma. Nga kanë ardhur pjesa tjetër e të dhënave? Kanë ardhur nga prefektet, domethënë strukturat që përfaqësojnë pushtetin qendror në nivel vendor. Nuk më duket fort e thjeshtë për t’u kaluar vetëm me një votim, qoftë konsensual apo të imponuar”, tha Gjonçaj. Gjatë mbledhjes u zhvilluan debate edhe për miratimin e një procesverbali të hapjes dhe mbylljes së kutisë së votimit. Përfaqësuesit e majtë në KQZ kërkonin që miratimi i procesverbalit të bëhej me akt normativ dhe si shtesë e një akti të mëparshëm. Mospranimi i kësaj kërkese bëri që nënkryetarja Subashi të largohej nga mbledhja. Në fund akti normativ u votua me pesë vota pro dhe një kundër.

7.4 milionë
Në vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është parashikuar shifra prej 7.4 milionë fletë votimi, të cilat do të jenë gati për zgjedhjet e 8 majit. Numri i përgjithshëm i zgjedhësve është rreth 3.1 milionë.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›