Vendimi, 7.5 milionë për zgjedhjet e pjesshme
TIRANË- Qeveria miratoi dje fondin prej 7.5 milionë lekësh që do të përdoret nga Komisioni i Zgjedhjeve për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore që do të zhvillohen nesër në pesë njësi administrative në vend. Gjatë ditës së nesërme, zgjedhjet do të zhvillohen në minibashkinë numër 10 në Tiranë, Bashkinë e Klosit në Burrel, komunën Otllak në Berat, bashkinë Fushë Arrëz, komunën Fierzë. Vendi i kryetarit të qeverisjes vendore në këto njësi mbeti bosh pasi krerët e tyre u zgjodhën deputetë më 28 qershor 2009. Nga i gjithë fondi, rreth 3.4 milionë do të përdoren për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore për komisionerët ndërsa pjesa tjetër për mbulimin e shpenzimeve për blerjen e materialeve të nevojshme në zhvillimin e procesit. Zgjedhjet në këto njësi janë bojkotuar nga Opozita e majtë dhe parti të djathta me arsyetimin se qeveria ende nuk ka bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.