E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet slogani dhe imazhi i fushatës së PS

SHKRUAN: Fejzi Braushi 31-03-2011 16:10

Partia Socialiste ndez “motorët” për fushatën elektorale. Me sloganin e përgjithshëm “E vetmja rrugë”, kandidatët e opozitës të grupuar në koalicionin “Aleanca për të Ardhmen” do të kërkojnë votat e shqiptarëve më 8 Maj për zgjedhjet për pushtetin vendor. Megjithëse fushatën në mënyrë zyrtare PS dhe aleatët e saj do ta hapin pikërisht më datën 7 mars, socialistët kanë zbardhur dje një pjesë të asaj që do të jetë “fytyra” e fushatës elektorale të kësaj force në të gjithë vendin. Elementët e parë janë bërë publik në faqen zyrtare të kreut socialist Edi Rama, në rrjetin social “Facebook”, ku është prezantuar posteri kryesor i liderit të opozitës, si dhe slogani i përgjithshëm “E vetmja rrugë”.

Faqja në internet

Ashtu si dhe kundërshtari i tij demokrat për garën e Tiranës, kreu socialist Edi Rama i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe komunikimit nëpërmjet internetit, ku ka hapur një faqe të posaçme në Facebook, ku brenda pak orëve janë bërë “miq” të tij rreth 11400 persona. Kjo është faqja e vetme zyrtare e cila përfaqëson kreun socialist dhe kandidatin për kryetar të Bashkisë së Tiranës, ku të gjithë simpatizantët apo qytetarët e thjeshtë ftohen të japin mendime dhe sugjerime nëpërmjet komenteve në seksionin e diskutimeve. Por që në ditën e parë të hapjes në këtë faqe, lideri socialist ka prezantuar dhe disa elementë të fushatës elektorale jo vetëm për Tiranën, por edhe për gjithë Shqipërinë. Kështu, Rama ka publikuar në të posterin e imazhit të fushatës së tij dhe Partisë Socialiste, të prodhuar jashtë vendit. Në këtë foto Rama ka pozuar i ulur, me një buzëqeshje të madhe, i veshur me një xhaketë të zezë, këmishë të bardhë e kollare me lule të kuqe e të zeza. Sfondi i posterit është gri me pak çiklaminë, ndërkohë që djathtas është vendosur edhe logoja e PS-së, grushti dhe trëndafili.

Pikërisht në faqen zyrtare në internet, PS ka bërë të ditur edhe sloganin e fushatës së Partisë Socialiste: “E vetmja rrugë”. Slogani tregon më së miri moton dhe mesazhin që do të përcjellin socialistët te qytetarët gjatë kësaj fushate, se janë e vetmja forcë që mund të ndryshojë vendin dhe ta bëjë atë tërheqës për çdo qytetar. Slogani do të stampohet në posterat me pamjen e kreut socialist, si dhe në disa fletushka apo broshura të vogla që mund t’i mbajnë qytetarët gjatë mitingjeve apo aktiviteteve elektorale. Ndërkohë që stafi i ngushtë i kreut socialist është duke punuar edhe për këngën apo kolonën zanore që do të shoqërojë fushatën e socialistëve. Ditët e fundit kreu socialist ka zhvilluar dhe një takim të veçantë me deputetë dhe stafin e tij të ngushtë, ku dhe ka përcaktuar të gjithë axhendën e tij elektorale deri në datën 6 maj, kur dhe pritet të mbyllet fushata në kryeqytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›