Vendimi; Tenderi i pasaportave, Gjykata e Lartë i jep pafajësi Arben Priftit
Gjykata e Lartë i jep pafajësi Arben Priftit, i akuzuar 6 vjet më parë për shkelje në tenderin e pasaportave, në bashkëpunim me Bujar Himçin, Veli Myftarin e Edmond Aliajn. Sipas vendimit përfundimtar të gjykatës, shtetasi Prifti nuk rezulton të jetë implikuar në shkeljet e bëra gjatë tenderimit për pasaportat nga Ministria e Brendshme me shoqërinë gjermane. Prifti, në atë kohë me detyrë drejtor i Agjencisë së Prokurimeve Publike, u akuzua se ka vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës së tij dhe ka shkelur ligjin nr. 7971, datë 26.07.1995, “Për prokurimet publike”, duke miratuar procedurat jo të rregullta të tenderit që u zhvillua nga Ministria e Rendit Publik për prodhimin e pasaportave për jashtë shtetit, tender që e fitoi shoqëria gjermane “Bundes Druckerei International Services”, duke i shkaktuar në këtë mënyrë dëme të rëndësishme interesave të shtetit, në shumën 2.285.513 dollarë, si dhe se ka miratuar shkeljet e lejuara nga komisioni i tenderimit i asaj ministrie, që kishte lejuar pabarazi midis firmave të huaja që ishin pjesëmarrëse në këtë tender.