E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i pasurisë arrin tek nivelet e dyta të qeverisjes



Hetimi i zyrtarëve për fshehje pasurie ka arritur deri në nivelin e dytë të qeverisjes. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dorëzoi në Kuvend raportin vjetor të punës ku evidenton hetimin e zyrtarëve të dyshuar për fshehje pasurie. Sipas këtij raporti, nga rreth 4 mijë zyrtarë qendrorë dhe lokalë, të ulët dhe të lartë, që kanë deklaruar pasurisë, ILKPD-ja ka të dyshuar 120 zyrtarë të administratës me konflikt interesi. Nga shqyrtimi është evidentuar se 66 prej tyre kanë qenë me konflikt interesi. ILDKP-ja ka kallëzuar penalisht në prokurori për fshehje të pasurisë një zëvendësministër dhe një prokuror. Njëkohësisht, në organin e prokurorisë janë dërguar për ndjekje penale edhe 4 subjekte deklaruese, zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, pasi janë konstatuar shkelje të Kodit Penal. Gjatë vitit 2008 në inspektorat është evidentuar se 70 zyrtarë nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë brenda afateve kohore.

ILDKP-ja ka aplikuar masën administrative me gjobë për këta zyrtarë, nga të cilat në 6 raste ka pasur ankimim pranë Inspektoratit të Lartë, ku ankimuesit përmes provave shkresore pretendonin se kishin arsye të bazuara për vonesën në dorëzimin e deklaratës. Raporti thotë se për 11 zyrtarë të gjobitur që nuk kanë dorëzuar deklaratat e pasurisë, Inspektorati i Lartë ka dërguar në organin e prokurorisë kallëzimin penal “refuzim për deklarim”. Në vitin e kaluar Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kontrolloi 642 zyrtarë, nga të cilët 436 për shkak të funksionit, 50 për shkak të problemeve të konstatuara nga kontrolli aritmetik e logjik dhe për 152 zyrtarë të tjerë si pasojë e shortit të hedhur në muajin maj të vitit 2008. Procesi i kontrollit të plotë është kryer me anën e korrespondencës me institucionet publike, institucionet bankare brenda e jashtë vendit, si dhe marrjes së informacionit nga burime të tjera. Për sa i përket vitit në vijim, ILKPD-ja është shprehur se do të rriten masat investigative. Ligji është përmirësuar në këtë fushë dhe është përcaktuar një formular i ri për deklarimin e pasurisë që përfshin edhe familjarë të çdo zyrtari. Në formularin e ri të deklarimit të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre detyrohen të deklarohen edhe fëmijët madhorë jashtë certifikatës familjare të subjektit që i nënshtrohet deklarimit të pasurisë. ILDKP-ja synon shmangien e regjistrimit në emër të fëmijëve jashtë certifikatës familjare të pasurive të fituara në mënyrë të dyshimtë nga zyrtari. Njëkohësisht, inspektorati ka shtuar bashkëpunimin me struktura të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik brenda e jashtë vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›