Makina në kanal,një vdes tre plagosen
LUSHNJE - Një i vdekur e tre të plagosur është bilanci i një aksidenti që ndodhi dje në aksin Fier-Lushnjë. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Rotondoja e Kolonjës”, kur mjeti me targë FR 5516 A doli nga rruga e përfundoi në një kanal. Sipas policisë, nga ky aksident gjeti vdekjen 57–vjeçari, Bexhet Peqini. Ndërsa të plagosur mbetën Kristaq Bani, 49 vjeç, Isuf Myrto, 50 vjeç dhe Ilir Llupo 55 vjeç, i cili ishte edhe drejtuesi i mjetit. Pas ngjarjes, në vend mbërriti policia dhe dërgoi menjëherë në spitalin e Lushnjës tre të plagosurit. Mësohet se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën, megjithëse kanë marrë fraktura në pjesë të ndryshme të trupit, si pasojë e përplasjeve të forta. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes konstatoi se shkak për daljen e automjetit nga rruga kishte qenë shpejtësia e madhe. Sipas ekspertëve të qarkullimit, përpara se automjeti të përfundonte në kanal ka bërë tre rrotullime. Si pasojë e saltrove, Bexhet Peqini nuk ka mundur të shpëtojë, ndërsa tre shtetasit e tjerë kanë dalë me plagë të rënda nga makina. Ndaj shoferit Llupo është ngritur akuza e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen e një shtetasi dhe plagosjen e dy të tjerëve. m.r