Reformat e mirëpritura në arsimin e lartë
Nga Ilir KALEMAJ
Reforma në arsimin e lartë ngelet një nga objektivat dhe sfidat me të cilat duhet të përballet çdo qeveri për vetë kompleksitetin dhe interesin e madh publik që gjeneron. Tranzicioni i stërzgjatur shqiptar mes të tjerash ka prekur dhe ndikuar negativisht edhe në cilësinë e arsimit në vend duke bërë që të tërhiqet drejt masivizimit, kjo dhe për shkak të politikave për liberalizimin e universiteteve që janë provuar të jenë një kartë e fortë elektorale, por shpesh në kurriz të cilësisë që ofrojnë auditorët e universiteteve. Në këtë kuadër vlen të çmohen disa prej nismave të fundit të MASH-it dhe qeverisë për projektimin e një numri prej 400 pedagogësh të rinj të brendshëm, me mundësinë e dyfishimit të këtij numri në rast të paraqitjes së kandidatëve seriozë me diploma doktorature jashtë vendit. Po aq domethënës dhe një veprim në kahun e duhur është edhe dyfishimi i Fondit të Ekselencës (FONDEX), i cili bën të mundur akordimin e bursave për studentët e doktoraturës dhe shkencëtarët e rinj të shkëlqyer që studiojnë në Universitete elitare perëndimore, sikundër edhe krijimi i programit Brain Gain për të evituar erozionin intelektual që po përjeton vendi prej rreth dy dekadash. Këto reforma, të kombinuara nga ana tjetër me mundësinë e organizimit të praktikave të punës pranë institucioneve shtetërore dhe publike për studentët e auditorëve shqiptare dhe të huaja, ku vlen të përmendet veçanërisht shembulli pozitiv i Bashkisë së Tiranës që i ka kthyer tashmë në traditë këto lloj praktikash, nxisin kualitetin dhe shtojnë motivimin e studentëve duke i aftësuar më tej për t’u ballafaquar me sfidat post-shkollim që i presin. Nga ana tjetër, rritja e autonomisë universitare dhe mundësimi i universiteteve shtetërore për një liri më të madhe në menaxhimin e fondeve, duhen shoqëruar edhe me një transparencë më të madhe nga ana e këtyre të fundit për cilësinë e stafit që ofrojnë, për investimet në infrastrukturën e përgjithshme, për garantimin e kushteve për kërkim shkencor e kështu me radhë. Kjo do shmangte njëkohësisht praktikat shpesh nepotike në punësim, rritjen e transparencën në ballafaqimin me publikun dhe rritjen e konkurrencës sidomos në raport me universitetet private, një pjesë e të cilave janë kthyer tashmë në institucione serioze të arsimit të lartë. Profesor Artan Fuga, në një takim të kohëve të fundit me tematikë “Kthimin e Trurit”, pra kthimin e intelektualëve dhe studiuesve që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, sugjeroi me të drejtë edhe mbështetjen financiare të kërkuesve shqiptarë jashtë vendit duke mbajtur parasysh mobilitetin që kërkon gjithnjë e më tepër sistemi i integruar universitar evropian, i cili mundëson për kërkuesit shkencorë që janë njëkohësisht edhe pedagogë, të punojnë në qendra të ndryshme universitare dhe të kryejnë kërkime ndërdisiplinore që natyrisht kërkojnë edhe bashkëpunim me partnerë të huaj. Kjo natyrisht mund të realizohet edhe duke u bërë pjesë aktive e programeve komunitarë Erasmus Mundus, Sokrates apo të tjerë. Por gjithsesi ndihma e qeverisë shqiptare është kurdoherë e mirëpritur dhe inkurajuese. Vullneti i mirë i demonstruar dhe takime të tilla si ky i fundit mes përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me rektorët dhe dekanët e Universiteteve publikë janë mjaft produktivë dhe i shërbejnë si transparencës, ashtu edhe informimit publik për fatin e arsimit të lartë, i cili ka për të qenë një temë kurdoherë aktuale dhe e rëndësishme. Për ta mbyllur, do doja të ritheksoja nevojën e vazhdimit të nismave të tilla produktive, si programet e mbështetjes për Universitetet dhe studiuesit. Po aq e rëndësishme është edhe funksionimi rigoroz i një komisioni vlerësimi dhe akreditimi i cili në bazë të pikëve mund të klasifikonte universitetet shqiptare sipas një sistemi hierarkik, bazuar në cilësinë e stafeve të tyre pedagogjike, kushteve mësimore dhe laboratorike, hapësirën për studentë, nivelin e kërkimit shkencor e kështu me radhë. Ato universitete që shënojnë regres apo nuk arrijnë të përmbushin kushtet minimale të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor është e kotë që të vazhdojnë të ushqehen me paratë e taksapaguesve (si në rastin e universiteteve publikë) apo të kthehen në firma të reja piramidale (si në rastin e universiteteve të dështuara privatë). Kjo do të shtonte konkurrencën dhe do i nxiste universitetet drejt një gare cilësie, ku përfituesit e parë dhe kryesorë do ishin vetë studentët dhe prindërit e tyre të cilët shpesh me sakrifica mundohen të përballojnë një shkollim sa më cilësor të fëmijëve të tyre. Reforma në arsimin e lartë është dhe duhet të jetë multi-dimensionale dhe si e tillë nevojiten ide novatore dhe nisma të guximshme.
19 Qershor 2008