Vendimi i Apelit revolton autoritetet gjermane
Pas lirimit të 44-vjeçarit Abdulselam Turgut, autoritetet gjermane të drejtësisë kanë përcjellë në Tiranë zhgënjimin e tyre
Tiranë Menjëherë pas lirimit të 44-vjeçarit turk nga Gjykata e Apelit, të parët që kanë reaguar kanë qenë autoritetet gjermane. Edhe pse jo në kanale publike, Gjermania u ka përcjellë autoriteteve të drejtësisë shqiptare shqetësimin për çështjen, i cili ka qenë gati në nivel alarmant. Burime të rezervuara thanë se nga dita e lirimit të Abdulselam Turgut, autoritetet e drejtësisë gjermane kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me homologët shqiptarë, duke shprehur kështu jo vetëm shqetësim, por edhe mungesë besimi te sistemi ynë i drejtësisë. Një zyrtar i lartë në Prokurorinë e Përgjithshme tha se ky reagim i ardhur në mënyrë informale pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim, ndërsa ende nuk dihet qëndrimi zyrtar i autoriteteve gjermane të drejtësisë. Ajo që është e sigurt, është fakti se vendimi i Gjykatë së Apelit i ka dhënë një goditje të fortë marrëdhënieve dhe bashkëpunimit që autoritetet e dy vendeve kanë pasur në vijimësi, kryesisht me çështje që kanë interes të përbashkët. Por lirimi i shtetasit turk, të kërkuar për trafikun e sasisë prej 1 ton heroinë, sipas burimeve mund të jetë arsye e mjaftueshme që marrëdhëniet Shqipëri-Gjermani të cenohen edhe në nivele më të larta se thjesht bashkëpunimi i autoriteteve të drejtësisë të të dy vendeve. “Bashkëpunimi me autoritetet gjermane do të tronditet dhe cenohet rëndë, pasi është rasti i dytë kur drejtësia shqiptare nuk është treguar objektive. Ky vendim mund të cenojë shumë imazhin e Shqipërisë dhe veçanërisht atë të drejtësisë”- tha një zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas informacionit të marrë nga homologët gjermanë, rezulton se i njëjti shqetësim, edhe pse në nota më të ulëta, është marrë edhe në rastin e lirimit të një të dyshuari si bashkëpunëtor në trafikun e 40 kilogramë heroinë. Operacioni që vuri në pranga edhe tre shtetas gjermanë, fillimisht u cilësua si mjaft i suksesshëm, por vetëm pak kohë më parë Gjykata e Lartë liroi nga qelia një prej të arrestuarve, duke mbajtur në burg tre shtetasit gjermanë, dy prej tyre të moshuar. Burimet thanë se deri tani ka vetëm sinjale në kanale homologe, që tregojnë shqetësimin e autoriteteve gjermane, por qëndrimi i tyre do të shprehet në ditët në vijim, kur pritet që reagimi zyrtar t’u përcillet autoriteteve të drejtësisë shqiptare.