E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zhduket” bosi turk i drogës, policia s’gjen shtëpinë e arrestit

SHKRUAN: Habjon Hasani 19-03-2011 11:22

Tiranë Shtetasi turk, Abdulselam Turgut, i kërkuar nga Interpoli gjerman për trafik ndërkombëtar droge duket se ka “avulluar” nga Shqipëria. Të paktën, në dijeninë e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, të cilët nuk kanë mundur të përcaktojnë vendndodhjen e banesës së tij, gjatë ditës së djeshme. Pasi u ndalua në Rinas duke hyrë për në Shqipëri, në bazë të një urdhër-ndalimi të Interpolit, e pasi fitoi arrestin shtëpiak në Gjykatën e Apelit, duket se tashmë nuk gjendet më asnjë gjurmë të tij. “Çuditë” mbi vendndodhjen e shtetasit turk zënë fill me vendimin e Gjykatës së Apelit, ku si adresë shënohet “Kthesa e Kamzës, kati i 8”. Kjo adresë, ku Turgut do të qëndronte në “arrest shtëpiak” është tërësisht e paidentifikueshme për inspektorët e zonës. Pranë Kthesës së Kamzës ka mbi 15 pallate të larta, të ndërtuara përgjatë viteve të fundit, ndërsa në vendimin e gjykatës nuk është përshkruar ekzaktësisht godina ku do të qëndronte shtetasi turk e as nuk ishte përcaktuar mbikëqyrje policore për të. Organet e policisë shqiptare, të paktën deri dje nuk ishin në gjendje të përcaktonin se ku po e “kryente” arrestin e shtëpisë shtetasi turk, i kërkuar nga Gjermania si një ndër trafikantët më të mëdhenj të heroinës në Europë. Në vendimin e Gjykatës së Apelit është përcaktuar se për ekzekutimin e vendimit të gjykatës do të merreshin oficerët e policisë gjyqësore. Por këta punonjës të komisariatit numër 3, që mbulojnë zonën e Kthesës së Kamzës, ende nuk kanë mundur të identifikojnë apartamentin e Turgut. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, me shoqërimin e shtetasit turk, për në banesën ku do të kryente arrestin shtëpiak janë marrë direkt oficerët e policisë kufitare, të cilët ndryshe nga sa përcaktojnë rregullat rutinë, duhej ta kishin bërë shoqërimin e shtetasit turk në praninë e inspektorit të rendit të komisariatit nr. 3 në kryeqytet. Mësohet se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe askush dje, as nga komisariati nr.3, as nga drejtoria e policisë së Tiranës apo nga Policia e Shtetit nuk ishte në gjendje të konfirmonte vendndodhjen e apartamentit të Abdulselam Turgut apo qëndrimin e tij në Tiranë. Kjo dilemë për 44-vjeçarin e kërkuar nga Gjermania pason morinë e procedurave të errëta, të kryera për të. Arrestimi i tij, më 18 shkurt në Rinas, për llogari të Interpolit gjerman nuk u bë publik nga policia, siç ndodh rëndom në këto raste, sikurse edhe përballja e Turgut me Gjykatën e Tiranës, apo atë të Apelit, u bë në fshehtësi të plotë. Në materialet e mbërritura në Shqipëri nga Gjermania, Abdulselam Turgut rezulton të jetë dërguesi i 960 kilogramëve heroinë, të kapura në dy vitet e fundit nga pala gjermane, por edhe në Itali apo Holandë. Në bazë të të dhënave paraprake, shtetasi turk ka menduar që gjatë gjithë vitit 2011, të ishte rezident në Shqipëri, duke lidhur edhe kontratë qeraje 1-vjeçare, ndërsa lidhjet e tij me Shqipërinë lënë “gjurmë” të paktën që prej vitit 1999, kohë në të cilën Abdulselam Turgut, së bashku me 5 shqiptarë të tjerë, u gjykuan pas kapjes së një sasie të konsiderueshme heroine.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›