Zbardhet vendimi i Apelit, ja si u lirua bosi turk i heroinës
Gjykata: Gjermania lëshoi urdhër europian të arrestit, çka do të thotë se fushën e zbatimit e ka brenda territorit të BE-së. Abdulselam Turgut paraqiti kontratën 1-vjeçare të qirasë në adresën “Kthesa e Kamzës, kati i 8” dhe raportin mjekësor që vuan nga pamjaftueshmëria në zemër dhe hiperlipidemia
Tiranë Një adresë e paplotë banese në Kthesën e Kamzës dhe një raport mjekësor, i ardhur në Tiranë nga spitali “Yasam Universal”, i kanë mjaftuar Gjykatës së Apelit për të liruar nga qelia Abdulselam Turgut. I kërkuari nga Gjermania si një ndër trafikantët më të fuqishëm të heroinës në Europë ka “fituar” lirinë, në këmbim të dorëzimit të pasaportës, ndërkohë që në vendimin që MAPO boton sot thuhet se arresti me burg i Gjykatës së Tiranës është i kundërligjshëm. Si argument, Gjykata e Apelit përdor urdhrin e arrestit të Interpolit gjerman, sipas së cilit Turgut ishte shpallur në kërkim në vendet e BE-së dhe jo jashtë territorit të saj, por edhe mungesën e kërkesës për ekstradim apo komunikimin përtej kanaleve zyrtare të autoriteteve shqiptare. “Mapo” boton vendimin e zbardhur të Gjykatës së Apelit, sipas së cilit Abdulselam Turgut duhej të qëndronte në arrest shtëpie në një apartament në katin e 8 në zonën e Kthesës së Kamzës.
Vendim
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin penal nr. 311 akti, datë 20.02.2011 ka vendosur si vijon: Miratimin si të ligjshëm të arrestit të përkohshëm të shtetasit turk Abdulselam Turgut, i datëlindjes 27.05.1967. Caktimin si masë shtrënguese për këtë shtetas, për efekt ekstradimi atë të “arrestit në burg” me afat 40 ditë parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale. Kundër këtij vendimi ka bërë ankim i arrestuari Abdulselam Turgut, duke kërkuar ndryshimin e vendimit nr. 311 akti të Gjykatës së Tiranës dhe caktimin e një mase më të butë sigurimi, siç është ajo e “arrestit në shtëpi”. Vendimi i Gjykatës së Tiranës është marrë në kundërshtim me ligjin dhe jashtë kuadrit të provave që ndodhen në dosje. Masa e sigurimit me afat 40 ditor e përzgjedhur nga gjykata është tejet ekstreme dhe nuk i përgjigjet rëndësisë së faktit. I arrestuari është vendosur nën masën e sigurimit për efekt ekstradimin në Gjermani. Nuk ka kërkesë për ekstradim, por ka vetëm një kërkesë për masë shtrënguese. Të arrestuarit i janë marrë dokumentet me të cilat mund të bëhet i mundur largimi i tij. Nuk ka rrezik ikjeje, ai ka lëvizur gjithmonë lirisht brenda shtetit turk. I arrestuari është i sëmurë, ka një kontratë qiraje me shtetas shqiptar, ka një biznes të rregullt, është familjar.
Gjykata e Apelit Tiranë, pasi shqyrtoi çështjen, dëgjoi relacionin e kryesuesit Gjin Gjoni, dëgjoi mbrojtësit e të arrestuarit Abdulselam Turgut, av. Petrit Serjani e Ardian Visha dhe vetë të arrestuarin, që kërkuan ndryshimin e vendimit dhe caktimin e një mase tjetër sigurimi, dëgjoi prokurorin Genti Xholi që u shpreh për miratimin e vendimit, pasi bisedoi dhe analizoi çështjen në tërësi, vëren: Vendimi nr. 311 dt. 20.02.2011 të Gjykatës së Tiranës nuk është marrë në përputhje të plotë me ligjin dhe provat dhe si i tillë ky vendim i masës së sigurimit të arrestit të përkohshëm duhet të ndryshohet. Nga gjykimi i çështjes në këtë gjykatë dhe provat e marra rezulton se: Organi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, bazuar në nenin 495 të K.Pr.Penal në datën 19 shkurt 2011 ka dërguar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkesën për miratimin e arrestit të përkohshëm dhe caktimin e masës shtrënguese “arrest me burg” 40 ditë për efekt ekstradimi për shtetasin turk Abdulselam Turgut. Nga aktet e paraqitura ka rezultuar se në datën 12.02.2011 rreth orës 15:00, gjatë përpunimit të pasagjerëve të linjës ajrore “Turkish Airlines”, nga ana e kontrollorëve të planizuar në kabinat e hyrjes për në Republikën e Shqipërisë është bllokuar shtetasi turk Abdulselam Turgut. Ky veprim është kryer për arsye se nga kontrolli që është bërë në sistemin e Interpolit, ka rezultuar me statusin “Wanted purpose: Arrest”, e në këto kushte, pas kontaktit me Z.Q.K të Interpol-Tirana është konfirmuar me një e-mail se ky shtetas është shpallur në kërkim nga Interpol-Wiesbaden (Gjermani) me urdhër europian të arrestit të lëshuar në datën 21.09.2009 me akuzën e trafikimit të heroinës dhe opiumit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Gjermani.
Nga shërbimet e policisë gjyqësore të Komisariatit të Rinasit është bërë verifikimi i saktë i këtij shtetasi dhe faqja e-mailit në të cilin kërkohet arrestimi i këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij në Gjermani, e në këto kushte nga oficeri i policisë gjyqësore është bërë arrestimi i përkohshëm i shtetasit turk Abdulselam Turgut. Gjykata e Apelit në vështrim të dispozitave mbi ekstradimin dhe konkretisht dhe njëkohësisht në mbështetje të Konventës Europiane “Për ekstradimet” nr.024 e cila është ratifikuar nga ana e shtetit shqiptar, ka bërë verifikimin e të gjitha provave të paraqitura nga ana e Prokurorisë, kërkimeve të saj dhe vendimit gjyqësor të Gjykatës së Tiranës dhe në frymën e dispozitave të lartpërmendura ka arritur në konkluzionet e mëposhtme. Nga ana e Prokurorisë rezulton se kemi shkelje të nenit 494/1 të Kodit Penal, pasi në rastin konkret nuk kemi një kërkesë të shtetit të huaj të paraqitur dhe që kjo kërkesë t’i jetë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, kopje e të cilës të jetë bërë pjesë e kësaj dosje. Në vazhdim të kësaj dispozite, kërkohet domosdoshmërish Ministria e Drejtësisë t’i ketë paraqitur këtë kërkesë organit të Prokurorisë, pra gjykatës kompetente, fakt i cili nuk rezulton të ketë ndodhur, pra që jemi në shkelje të nenit 494/1 të K. Pr. Penale dhe kjo kërkesë nuk rezulton të jetë pjesë e këtij fashikulli gjykimi. Sipas kësaj dispozite rezulton se, pasi të jenë plotësuar këto kërkesa të mësipërme, gjykata “mund” të vendosë përkohësisht një masë shtrënguese përpara se të vijë kërkesa e ekstradimit. Kjo dispozitë jep në mënyrë taksative se, pasi të plotësohen këto kërkesa dhe në disponim të gjykatës mbështetur në të dhënat dhe provat e tjera, të vendosë nëse mund të jepet, e theksojmë faktin se thuhet “gjykata mund” të japë masë të shtrëngimit të përkohshëm.
Në vështrim të nenit 494/2 dhe konkretisht pikat a, b dhe c të Kodit të Procedurës Penale duhet të plotësohen tre kritere që duhet të merret kjo masë e sigurimit personal të përkohshëm. Shteti i huaj ka deklaruar se ndaj kujt është marrë një masë e tillë për kufizimin e lirisë personale ose vendimi i burgimit dhe se ka ndërmend të paraqesë një kërkesë për ekstradim, shteti i huaj ka paraqitur të dhëna të hollësishme për veprën penale dhe personi ka rrezik ikje. Referuar sa më sipër dhe mbështetur në Konventën Europiane “Mbi Ekstradimet” dhe dy protokollet shtesë për të cilat shteti shqiptar është palë, konventë e cila për nga hierarkia ka epërsi mbi Kodin e Procedurës Penale nga ana e shtetit kërkues dhe për rrjedhojë e organit të Prokurorisë, nuk janë plotësuar disa kritere ligjore të sipërcituara dhe për më tepër nuk është plotësuar edhe kërkesa e nenit 16 të Konventës Europiane “Mbi Ekstradimet”, nen ky që i referohet nenit 12 paragrafi 2.a të po kësaj Konvente. Sipas këtij neni, kërkesa për “arrest provizor” duhet patjetër të provohet me një nga dokumentet e përmendura në nenin 12 paragrafi 2.a të kësaj konvente. Neni 12 paragrafi 2.a i kësaj Konvente kërkon domosdoshmërish origjinalin apo kopjen autentike të vendimit të dënimit apo të urdhër-arrestit të zbatueshëm në mënyrë të menjëhershme ose të arrestit që të ketë të njëjtin efekt në përputhje me dispozitat procedurale të ligjit të palës së kërkuar. Nisur nga sa kërkon ligji dhe konkretisht dispozita e mësipërme e Konventës, rezulton nga provat që ka dosja gjyqësore apo në gjykim përpara Gjykatës së Apelit, se nga ana e organit të Prokurorisë nuk është paraqitur asnjë vendim origjinal apo kopje identike e vendimit të arrestit, vendimit të dënimit, apo kërkesës për qëllime ekstradimi nga ana e shtetit gjerman, pranë autoriteteve gjyqësore shqiptare, por i gjithë materiali është fotokopje dhe i nxjerrë nga interneti. Po kështu, duhet të theksojmë se referuar “Protokollit të Dytë shtesë të Konventës Europiane mbi Ekstradimet” e vitit 1978, e cila është ratifikuar nga shteti shqiptar në nenin 5 të saj ka bërë një zëvendësim të paragrafit 1 të nenit 12 të Konventës, ku theksohet se: “Kërkesa duhet të jetë me shkrim dhe duhet t’i adresohet Ministrisë së Drejtësisë, të kërkuar nga ministria kërkuese, megjithatë, përdorimi i kanaleve diplomatike nuk përjashtohet. Mjetet dhe rrugët e tjera të komunikimit mund të bëhen me marrëveshje midis dy ose më shumë palëve. Në rastin konkret, gjykata vëren se asnjë prej këtyre kërkesave të ligjit nuk janë realizuar nga ana e organit të Prokurorisë, nuk kemi një kërkesë me shkrim nga Ministria gjermane e Drejtësisë, drejtuar Ministrisë shqiptare të Drejtësisë, nuk kemi rrugë të komunikimit diplomatik dhe nuk kemi marrëveshje bilaterale të lidhur midis shtetit gjerman dhe shtetit shqiptar, sipas kërkesave të kësaj dispozite. Rezulton se i gjithë materiali, i cili është administruar edhe një komunikim me e-mail që pretendohet se është realizuar midis komisariatit të Policisë Kufitare Rinas dhe Zyrës Kombëtare të Interpolit Tiranë. Nuk rezulton në asnjë material të dosjes që të ketë komunikim zyrtar midis Zyrës Kombëtare të Interpol Tiranës dhe zyrës Ndërkombëtare të Interpolit, qoftë edhe një komunikim ndërmjet e-mailit. Edhe nëse do t’i referohemi materialit fotokopje, rezulton se shteti gjerman, në materialin e ndodhur në faqen 34 të dosjes, ndër të tjera thotë se:”Urdhri është urdhër europian i arrestit”, çka do të thotë se fushën e zbatimit e ka brenda territorit të Bashkimit Europian dhe jo te vendet jashtë këtij territori. Më poshtë është theksuar se:”Në rastin e arrestimit, brenda territorit të BE-së, jeni të lutur të informoni autoritetet gjyqësore të shtetit kërkues”. Pra, kërkesa i drejtohet vetëm në raste kur ky person kapet brenda territorit të Bashkimit Europian dhe jo një shteti jashtë këtij territori, e aq më pak Shqipërisë.
Në lidhje me atë çfarë kërkon neni 494/2, paragrafi b I K.Pr.Penale dhe neni 12/2 pika a, b, c e Konventës, nuk kemi një kërkesë origjinale, e shoqëruar me një përshkrim të shkurtër, për aq sa kërkohet të ekstradohet, referimin e dispozitës ligjore që parashikohet se ka kryer dhe përshkrim të hollësishëm të ngjarjes, në formën e kërkuar nga Konventa dhe protokollet shtesë.
Gjykata e Apelit Tiranë çmon se organi i prokurorisë, pas arrestimit me datë 18 shkurt 2011, nga Komisariati i Policisë së Rinasit, dita e shpalljes së vendimit në Gjykatën e Tiranës, deri ditën e marrjes së këtij vendimi nga kjo gjykatë, kishte kohën e mjaftueshme prej 14 ditësh t’i plotësonte këto kërkesa të Kodit të procedurës Penale dhe Konventës, por nuk i ka plotësuar. Gjithashtu rezulton se shtetasi turk, Abdylselam Turgut nuk është shtetas shqiptar dhe nëse organi i prokurorisë pretendon se ka qenë në kërkim ndërkombëtar, ky kërkim i është drejtuar shtetit turk, nga ana e autoriteteve gjyqësore gjermane. Sipas biletës së avionit, të administruar në dosje, ka kaluar edhe në pikat e kalimit kufitar turk dhe atje duhej të rezultonte si person në kërkim dhe jo vetëm në shtetin shqiptar dhe nuk ka pasur rrezik për ikje. Nga provat dhe pretendimet e palëve në proces, rezulton se personi nën arrest të përkohshëm, Abdulselam Turgut është me banim të përkohshëm në Shqipëri dhe për këtë ka paraqitur dje një kontratë qiraje, të një banese me numër 7401, dt 31.12.2010 dhe si afat të kësaj kontrate, ka datat 25. 01.2011 deri më 25.01.2012. Sipas shkresës së kryeprokuratës Republikane të Stambollit rezulton se shtetasi Abdulselam Turgut nuk është nën hetim dhe nuk është gjykuar. Sipas shkresës me nr:1254, dt.15.01.2011, te spitalit Yasam Universal është arritur në konkluzionin se: ”Është parë e nevojshme që Abdulselam Turgut gjithmonë të përdorë barna dhe gjendet në rrezik jetësor. Vuan nga mosmjaftimi i zemrës dhe hiperlipidemia”.
Duhet të theksojmë se i gjithë ky dokumentacion, i paraqitur nga ana e palës mbrojtëse dhe që është i administruar në dosje është me apostile, në bazë të Konventës së Hagës.
Nisur nga këto rrethana të mësipërme dhe mbështetur në provat e paraqitura, të cilat u administruan përpara kësaj gjykate, nisur nga përshkrimi i bërë nga ana e spitalit se personi që është në arrest të përkohshëm gjendet në rrezik jetësor, duke qenë se dokumentacioni i paraqitur nuk është në rrugë ligjore, por fotokopje e marrë nga interneti dhe e pashoqëruar me vendim arresti apo vendim dënimi, pa kërkesë origjinale për ekstradim dhe pa ardhur nëpërmjet rrugës së zakonshme apo diplomatike, se personit nën arrest i është bllokuar pasaporta nga ana e autoriteteve policore shqiptare, Gjykata e Apelit çmon se vendimi i Gjykatës së Tiranës duhet të ndryshohet. Ky ndryshim lidhet me rrethanat e mësipërme dhe se sipas nenit 494 të K.Pr.Penale gjykata mund të japë një masë shtrënguese, por jo domosdosmërisht atë të arrestit me burg, po atë të arrestit në shtëpi, në banesën e marrë me qira nga ana e tij në shtetin shqiptar dhe që është përshkruar në kontratën e qirasë. Kjo masë sigurimi jepet me afat 40-ditor.
Për këto arsye, Gjykata e Apelit, e bazuar në nenet 494, 495 e 249/6 të K.Pr.Penale vendosi: Ndryshimin e vendimit penal të masës së sigurimit nr. 311, akti dt 20.2.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke ndryshuar masën e sigurimit “arrest me burg”, me afat 40-ditor në atë të “Arrestit në shtëpi” me afat 40-ditor, në godinën e ndodhur në “Kthesa e Kamzës”, Tiranë, në katin e tetë të shtetasit Abdulselam Turgut. Urdhërohet lirimi i tij, në qoftë se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Ngarkohet Policia Gjyqësore për ekzekutimin e vendimit.
Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, sipas ligjit.
Kryesues: Gjin Gjoni
Anëtar: Agron Papajani
Anëtar: Hysni Demiraj
Turgut në Shqipëri, i shoqëruar nga 1 femër
Tiranë Shtetasi turk, Abdulselam Turgut, i kërkuar nga drejtësia gjermane për trafikun e 1 ton heroinë, ka ardhur në Shqipëri i shoqëruar nga një femër. Sipas burimeve të rezervuara të policisë, mësohet se në datën 18 shkurt të këtij viti, 44-vjeçari ka hyrë në territorin shqiptar, i shoqëruar nga një shtetase turke. Pas kapjes së të kërkuarit nga drejtësia gjermane, policia në bashkëpunimin edhe me strukturat e tjera, ka kryer verifikime mbi shoqëruesen e Turgut, e cila nuk ka rezultuar e përfshirë në aferat për të cilat kërkohet 44-vjeçari turk. Burimet thanë se Abdulselam Turgut ka hyrje-dalje të shpeshta në Shqipëri dhe përveç një banese të marrë me qira, dyshohet se ka lidhje me shtetas shqiptarë. Por këto të dhëna momentalisht mbeten të pa konfirmuara nga prokuroria, e cila vazhdon punën për të saktësuar qëllimin e vizitave të shpeshta të Turgut në vendin tonë.