E Diel, 1 Nëntor 2026

Virozat e stinës mbushin pediatrinë me fëmijë të sëmurë

Ndryshimet e menjëhershme të temperaturave dhe kushteve klimaterike kanë sjellë edhe fluksin e parë të pacientëve në spitale. Shumica e tyre janë të moshave të vogla, por edhe shifrat e të rriturve të prekur nga virozat e stinës nuk mbeten mbrapa. Çdo ditë në qendrat shëndetësore të lagjeve, poliklinikave dhe sidomos në urgjencën e pediatrisë në spitalin "Nënë Tereza" paraqiten raste me pacientë të sëmurë që kërkojnë ndihmën e mjekut. Kryesisht rastet më të mëdha janë pacientë të vegjël të moshave pediatrie, nga 6 muaj deri në 13 vjeç.

Virozat

Çdo ditë në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" në shërbimin e urgjencës së pediatrisë paraqiten nga 150-170 pacientë të vegjël me probleme të virozës së stinës. Konkretisht shqetësimet nisin me temperaturë të lartë, dhembje të kyçeve, probleme me aparatin e frymëmarrjes, rrugët e sipërme respiratore. Probleme të tjera janë shqetësime pastro-intestinale, kollë, infeksione respiratore.

Sipas mjekëve, kolla dhe infeksionet respiratore janë tipike të kësaj viroze. Madje problemet me sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes kanë nisur që në muajt e nxehtë, e me ardhjen e vjeshtës janë shtuar edhe më shumë.

Në buletinin e fundit informativ, lidhur me monitorimin e situatës për qarkullimin e virozave në vendin tonë, Instituti i Shëndetit Publik ka sqaruar se muajt e fundit infeksionet respiratore kanë ardhur drejt rritjes dhe më problematike ka qenë situata në moshat pediatrie. Sipas ISHP-së, fluksi i pacientëve në pediatri dhe mostrat e pakta që dërgohen në ISHP për ekzaminim nuk bëjnë të mundur kontrollin e të gjithë situatës dhe monitorimin e duhur lidhur me viruset që prekin më tepër fëmijët.

Vaksinat

Në fillim të muajit shtator, vaksinat e thjeshta që merren për gripin e zakonshëm, të cilat tregtoheshin me porosi nga farmacitë më të njohura në Tiranë janë "përpirë" nga qytetarët. Ndërsa tanimë që sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë hedhur në treg mbi 500 mijë doza vaksinash të gripit të thjeshtë, tërheqja e tyre nuk është edhe aq e madhe nga qytetarët. Vaksina kushton 1200-1400 lekë të reja dhe gjendet në shumicën e farmacive në qytetet kryesore të vendit. Por një "psikozë" e rreme është krijuar te qytetarët. Një pjesë e mirë e tyre nuk po marrin vaksina të gripit të zakonshëm, të cilat stimulojnë edhe rritjen e mbrojtjes për organizmin, sepse kanë shpresa se do të mund të blejnë në farmaci vaksina specifike të gripit të derrit.

ISHP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se stoku i parë i vaksinave specifike për gripin e derrit do të shërbejë për t‘u shpërndarë në radhët e punonjësve të rendit, punonjësve të shëndetësisë, punonjësve që janë pranë pikave kufitare, si edhe një listë aktorësh të tjerë të konsideruar si prioritarë për bordin e specialistëve të ngritur enkas për monitorimin e situatës së gripit të derrave në vendin tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›