E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i Kushtetueses Olldashi vlereson shpejtesine e marrjes se vendimit

Pas shpalljes zyrtare nga ana e Gjykatës Kushtetuese të këtij vendimi, në një deklaratë për shtyp ministri i i punëve publike Sokol Olldashi ka vlerësuar shpejtësinë e marrjes së këtij vendimi duke qenë se data 1 nëntor është edhe afati përfundimtar për lirimin e shtëpive të ish-pronarëve.
“Në radhë të parë shpreh falënderimet për Gjykatën Kushtetuese për shpejtësinë e marrjes së vendimit që nga dorëzimi i kërkesës nga ana e shoqatës e deri më sot kur është shpallur vendimi pasi duke qenë brenda datës 1 nëntor kur fillon afati i aplikimit nga ana e ish pronarëve na jep mundësinë që akti normativ të zbatohet pa pasur komplikime proceduriale që do të vijnë në një version tjetër eventual. Pra fakti që gjykata e dha vendimin sot e bën shumë më të thjeshtë zbatimin e të gjithë klauzolave që parashikohen në aktin normativ të miratuar nga qeveria dhe të kthyer në ligj nga Kuvendi”, vuri në dukje Olldashi.
Sipas tij, ky akt zgjidhi një padrejtësi 68 vjeçare, një padrejtësi kundrejt një shtrese që u shpronësua forcërisht nga regjimi komunist, që për 48 vjet në atë regjim nuk u lejua të posedonte pronën e vet dhe që priti për 20 vjet demokraci, rikthimin dhe rivendosjen e një të drejte bazike kushtetuese sikurse është e drejta e pronës, e sanksionuar në Kushtetutë, një e drejtë themelore e sanksionuar në kartën europiane të të drejtave të njeriut.
Ndër të tjera ministri Olldashi ka garantuar pronarët e këtyre banesave se ky akt normativ i miratuar nga qeveria dhe i aprovuar nga kuvendi i Shqipërisë do të zbatohet me përpikmëri deri në përfundim  të procesit të marrjes së titullit ekzekutiv të pronës. 
“Përfitoj nga rasti tu shpreh pronarëve sigurinë se ky akt do të zbatohet me përpikmëri, që nga nesër ata janë të ftuar të aplikojnë përmes procedurave që akti parashikon pranë entit të banesave i cili nga ana e vet, pas vënies në lëvizje nga kërkesa nga ana e pronarit  do ti drejtohet gjykatës së rrethit gjyqësor ku ndodhet prona për nxjerrjen e titullit ekzekutiv. I garantoj pronarët që e gjithë  administrata e entit të banesave në çdo qendër prefekture do të jetë e gatshme për të asistuar dhe për të ndjekur procedurat e parashikuara nga akti dhe i gjithë procesi do të ndiqet në mënyrë rigoroze nga Ministria e punëve publike në mënyrë që tërësia e tij të jetë një sukses që do të garantojë jo vetëm zbatimin e një akti të rëndësishëm ligjor por edhe zbatimin e një procesi të tërë që do të çojë në vend një të drejtë të mohuar për 68 vjet me radhë”, nënvizoi ministri Olldashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›