E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vlerësoj kontributin tuaj në sukseset diplomatike”

Shefi i NATO-s, Rasmussen, uron ministrin Basha, për emërimin në detyrën e re

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, përmes një mesazhi urimi, vlerëson ish ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, për sukseset dhe arritjet e shënuara të Shqipërisë, në kuadër të proceseve të integrimit. Me rastin e marrjes së detyrës së re, në Ministrinë e Brendshme, Rasmussen uron Bashën, duke theksuar se edhe në pozicionin e ri, do të demonstrojnë suksese, në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë.
“Dëshiroj t’ju përgëzoj me rastin e marrjes së detyrës si Ministri i ri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë. Gjatë mandatit tuaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shqipëria përmbushi një synim të kahershëm të politikës së saj të jashtme, duke u anëtarësuar në NATO. Dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për t’ju përgëzuar për kontributin tuaj në këtë arritje kaq të rëndësishme”, shpreh në mesazhin e tij, shefi i NATO-s, Rasmussen.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, deklaron se tashmë Shqipëria gëzon të drejta të barabarta me çdo anëtarë të NATO-s, dhe me reputacion të jashtëzakonshëm në çështjet me interes ndërkombëtarë.
“Tashmë vendi juaj është anëtar i plotë i një organizate sigurie, me një reputacion të pashoq në çështjet ndërkombëtare, një organizatë e cila mbledh së bashku një komunitet vendesh demokratike të zonës së Atlantikut të Veriut nëpërmjet angazhimit të saj për t’i dalë zot dhe për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe demokracisë”, thuhet në urimin e Rasmussen.
Më tej, ai shprehet i sigurt se ministri Basha do të ketë të njëjtin rol suksesi dhe në pozicionin e ri, në kabinetin “Berisha 2”.
“Jam i sigurt se edhe në pozicionin tuaj të ri, ju do të vazhdoni të punoni për këto vlera. Dëshiroj t’ju dërgoj urimet e mia më të mira për suksese në detyrën tuaj të re”, përfundon mesazhin e tij të urimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›