Vendimi i gjykatës për Xhakjan "vrau" kryepolicin Tahiri
Vrasja e kryekomisar Adem Tahirit nga një person i shumëkërkuar është produkti tragjik i drejtësisë së munguar në Shqipëri. Nëse nuk do të ishin vendimet shpesh absurd të gjykatave tona autori i ekzekutimit të shefit të komisariatit të Shijakut do kishte qënë në burg.
Ilir Xhakja, një emër i njohur që prej viteve 90 për uniformat blu është arrestuar disa herë, dhe herën e fundit në korrik të vitit korrikut 2007, pas një operacioni të RENEA-s në grykëderdhjen e lumit Erzen.
Pikërisht pas këtij arrestimi nis edhe historia tragjike e drejtësisë. Pas arrestimit prokuroria e kalon çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë dhe u dënua me 21 vjet burg, vendim të cilin e konfirmon edhe gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë.
Por gjithçka përmbyset me një vendim të Gjykatës së Lartë e cila në mënyrë të pakuptueshme akuzën e vrasjes për të cilën gjykohej Xhakja e cilëson jo kopetencë për krimet e rënda dhe e kthen në shkallën e parë në Durrës.
Pas një procesi disamujor në Gjykatën e Durrësit prokuroria kërkon dënim maksimal prej 25 vitesh, por trupi gjykues e liron në sallën e gjyqit duke u mjaftuar më dënimin e tij vetëm për armëmbajtje pa leje.
Në fund të vitit 2011 Ilir Xhakja kthehet në liri dhe pas afro 8 muajsh rishfaqet duke ekzekutuar kryepolicin e Shijakut. Gjatë kësaj periudhe procesi ka vijuar ende në Apel pas ankimimit të prokurorisë, proces i cili vazhdon deri ditën kur arma e tij akuzohet se ka marrë një tjetër jetë, atë të shefit të policisë së shijakut Adem Tahiri.
Një histori tipike për drejtësinë shqiptare për të cilën ka nisur menjëherë në hetim dhe pritet që të inspetkohet dosja dhe të kërkohet procedim për gjyqtarët që firmosen lirimin e tij.