Sektori i naftës, PS: Vokshi përfitoi miliona dollarë
Skanimi i pasurisë së padeklaruar të zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe shumicës aktuale ka vijuar edhe dje me fakte të reja të publikuar nga Partia Socialiste. Deputetja e saj, Olta Xhaçka, ka bërë të njohur disa të dhëna për pasurinë e fshehur të ish-këshilltares së Kryeministrit aktual, Albana Vokshi. Faktet e deputetes socialiste kanë nxjerrë në dritë edhe veprime nga ishujt Kajman, të cilat kanë të bëjnë me përfitime në sektorin e naftës. “Bashkëshorti i zonjës Vokshi është një nga aksionerët kryesorë të një kompanie të regjistruar në ishujt Kajman, e cila aktualisht vepron në fushën e nxjerrjes së naftës dhe gazit natyror në Shqipëri... Kompania e zonjës Vokshi kishte të drejta financiare mbi 30% të prodhimit ekzistues më 2008-n dhe 100% të drejta mbi rritjen e prodhimit që atëherë, duke paguar shtetin shqiptar vetëm 2-6% taksë mbi këtë fitim. Thënë ndryshe, kompanisë së zonjës Vokshi i janë dhënë dhjetëra miliona dollarë naftë shqiptare me të drejta pronësie për 25 vjet, me taksa qesharake e praktika korruptive”, ka deklaruar Xhaçka. Ajo i ka kërkuar edhe njëherë kreut të qeverisë Sali Berisha të reagojë mbi këto fakte, që flasin për akte të konsumuara nën përgjegjësinë e tij.
#