Studentët e Shkencave Sociale, bojkot tarifës dhe mësimit pa afat
Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale në kryeqytet kanë rinisur serinë e protestave për mjediset mësimore. Të rinjtë u kërkojnë autoriteteve më të larta të arsimit t’u sigurojnë kushte të denja për procesin mësimor, pasi me largimin e tyre nga godina përkatëse e fakultetit, për shkak të sigurisë teknike, ata po zhvillojnë mësim në kushte skandaloze. Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale refuzojnë të paguajnë taksën vjetore të shkollimit në shenjë proteste derisa të sistemohen në një mjedis të mirëfilltë edukimi dhe me kushte të pranueshme. Ndërkohë që në mungesë të një përgjigjeje për kërkesat që ngrënë, ata kërcënojnë se do të përshkallëzojnë veprimet. Një ditë më parë, studentëve të këtij fakulteti u është përcjellë një urdhër për ta zhvilluar mësimin në Universitetin Bujqësor në Kamzë. Për shkak të largësisë, ata refuzojnë ta zbatojnë këtë vendim dhe thonë se do të bojkotojnë mësimin.
Viti i ri akademik, Berisha premton hapjen e Universitetit të ri të Mjekësisë
Vitin e ardhshëm akademik, të rinjtë shqiptarë pritet të kenë një mundësi më shumë për të ndjekur studimet e larta. Ky është premtimi i bërë dje nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili ka deklaruar se Universiteti i ri i Mjekësisë do të nisë nga puna vitin e ardhshëm akademik. Sipas kryeministrit të vendit, ky universitet do të harmonizojë dhe udhëheqë shërbimet diagnostike, kurative, shkencore, si dhe menaxhimin e institucioneve qendrore spitalore. Berisha ka kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Shëndetësisë që të nisin punën për të shqyrtuar të gjitha modalitetet për hapjen e këtij universiteti. Ngritja e tij do të bëhet me faza. Faza e parë do të ketë një mbështetje të gjerë për të kaluar më pas tërësisht në fazën publike, ku autonomia dhe pavarësia e tij financiare do të jetë shumë më e madhe.
Kinoklubi “Studenti” kalon në administrimin e Fakultetit Juridik
Kinoklubi “Studenti” tashmë do të jetë në administrimin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, qeveria vendosi kalimin e përgjegjësisë së administrimit të kinoklubit “Studenti” nga “Trajtimi i studentëve, Nr.1”, sha, Tiranë, Universitetit të Tiranës, për Fakultetin e Drejtësisë. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “Trajtimi i studentëve, nr.1”, sha, Universiteti i Tiranës dhe Zyra për Regjistrimin e Pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
28 Janar 2009