E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reforma, regjistrimi i treguesve të performancës nga vetë institucionet shëndetësore



Treguesit e matjes së cilësisë në spitalet tona do të regjistrohen në mënyrë elektronike nga vetë këto institucione. Kjo gjë do të shënojë hapin e parë të zhvillimit të reformës në të gjitha spitalet e vendit. Spitalet kanë detyrë të raportojnë për gjithçka që disponojnë, por edhe për mungesat në informacione për pacientët apo mungesat në barna dhe aparatura. Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore organizoi një seminar me punonjës të shëndetësisë për t’i njohur më nga afër me të dhënat që kërkohen.
Drejtori i këtij institucioni, që do të merret me kontrollin dhe vlerësimin e këtyre të dhënave, Isuf Kalo, shprehet se nuk mund të garantojë vërtetësinë e të dhënave që do të raportohen nga vetë spitalet, pra ato dhe mund të falsifikohen. Këtu do të jetë ndërhyrja e specialistëve të MSH-së për të ushtruar kontrolle në të gjitha spitalet. Ministria e Shëndetësisë e cilëson si një hap pozitiv për nisjen konkrete të reformës spitalore. Një vit më parë, Qendra Kombëtare e Cilësisë dhe Sigurisë së Institucioneve Shëndetësore kreu një studim pilot të shtrirë në 13 spitalet e vendit në lidhje me vlerësimin e performancës ku konstatoi një sërë mungesash në matjen e interpretimin e tyre.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›