Rritet numri i fëmijëve të braktisur
Jonida Tashi
Megjithëse vendi ynë numëron vetëm 618 fëmijë jetimë, braktisja e fëmijëve po shndërrohet në një fenomen tepër shqetësues për shoqërinë shqiptare. Vetëm gjatë vitit 2008, familjet shqiptare kanë braktisur 169 fëmijë, të cilët i shtohen numrit të fëmijëve jetimë në vend që trajtohen në institucionet e përkujdesit. Krahasuar me vitin 2007, ku shifrat zyrtare evidentojnë vetëm 96 fëmijë të braktisur, gjatë 2008-s numri i fëmijëve të braktisur në vend ka pësuar një rritje të konsiderueshme.
Birësimet
Numri i birësimeve gjatë vitit 2008 ka mbetur pothuajse i njëjtë me atë të vitit 2007, vetëm 38 birësime në një vit. Përballë kësaj situate, fati u ka buzëqeshur vetëm 22 fëmijëve në të gjithë vendin, të cilët janë larguar nga jetimoret për t’u kthyer në familjen biologjike. Shifrat për braktisjen e fëmijëve si dhe numri i birësimeve të kryera gjatë vitit të kaluar bëhen publike nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) në analizën vjetore të punës. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Social, Mihal Naço, deklaron se gjatë vitit 2008, në rrjetin e institucioneve publike dhe jopublike të përkujdesit shoqëror janë trajtuar 618 fëmijë jetimë, 487 persona me aftësi të kufizuar, 328 të moshuar në institucione publike (71 të moshuar në qendrat ditore).
Të moshuarit
Fenomenit të braktisjes në vend po i shtohet edhe braktisja e prindërve nga fëmijët. Sipas të dhënave nga analiza vjetore e SHSSH-së, gjatë vitit të kaluar janë braktisur 61 të moshuar. Duhet të paguash vetëm 400 euro në muaj dhe për prindërit do të kujdesen institucionet private dhe joprivate, larg familjes. Në qendrat rezidenciale shtetërore janë mbi 100 të moshuar që rezultojnë me familje, por që familjarët e tyre, për arsye të ndryshme, nuk kanë pranuar që prindërit të jetojnë në shtëpi. Statistikat e Shërbimit Social Shtetëror tregojnë për rritjen e numrit të të moshuarve në qendrat rezidenciale.
Arsyet e braktisjes së prindërve nga fëmijët janë nga më të ndryshmet, por një ndër arsyet është emigracioni. Kjo ndodh pasi fëmijët nuk mund t’i marrin prindërit në vendet e huaja ku ata punojnë dhe jetojnë, kështu që të moshuarit detyrohen të drejtohen në këto qendra për më tepër përkujdesje dhe shoqëri. Arsye tjetër renditet edhe pamundësia e fëmijëve për t’i mbajtur prindërit e moshuar dhe shpenzimet e shumta që ka mosha e tretë, për shkak të kushteve shëndetësore. Por nuk përjashtohet mundësia e dëshirës që kanë fëmijët për të mos i pranuar në shtëpi. Për një pjesë të madhe të familjeve shkak është bërë edhe konflikti vjehrrë-nuse. Ka raste kur këtë rrugë e zgjedhin vetë të moshuarit, duke mos i pranuar kushtet pranë familjes së tyre. Për një pjesë të rëndësishme është edhe gjetja e shoqërisë, sidomos në qendrat rezidenciale ditore.
Të dhëna për fëmijët jetimë gjatë vitit 2008
169 fëmijë të rinj janë pranuar në institucione publike dhe jopublike me vendim komisioni
38 fëmijë janë birësuar (23 JSH + 15 BV)
22 janë kthyer në familjen biologjike
26 fëmijë janë transferuar nga një institucion në tjetrin
122 fëmijë kanë fituar statusin e jetimit
618 fëmijë janë trajtuar në rrjetin e institucioneve publike dhe jopublike të përkujdesit shoqëror
61 të moshuar janë pranuar në shtëpitë e të moshuarve
28 Janar 2009