Vlorë, protestë për rrugët e shkatërruara
VLORE - Festën e Ditës së Verës vlonjatët dje e kanë kaluar në protestë për një infrastrukturë më të mirë në qytetin e tyre, thuajse të shkatërruar. Banorë të lagjes "Lirim" e "Kushtrim" protestuan gjatë paradites së djeshme duke bllokuar për disa minuta rrugën hyrëse në qytet. Ata i kërkuan bashkisë të marrë masa dhe të investojë në rrugët e saj. Në deklaratat e tyre, qytetarët reaguan ashpër për situatën e rrugëve në këtë zonë, veçanërisht në hyrje të lagjeve, por edhe akseve kryesore në qytet. "I bëjmë thirrje kreut të bashkisë të hedhë sytë nga qyteti dhe të ndërhyjë që Vlora të jetë vërtet qytet turistik. Aktualisht ajo është pa rrugë, pa infrastrukturë dhe në kaos të plotë", u shprehën banorët protestues. Sipas tyre, rrugët tërësisht të amortizuara dhe me gropa, ajri dhe uji i ndotur kanë bërë që jetesa në këtë qytet të jetë e pamundur. Të të njëjtit mendim dhe në mbështetje të qytetarëve protestues kanë qenë edhe shumë drejtues automjetesh, të cilët u bllokuan në trafik për shkak të protestës së banorëve. Ata ankohen për situatën e krijuar, ndërsa akuzojnë bashkinë për indiferencë e vjedhje fondesh publike, pasi të gjitha rrugët e rikonstruktuara rishtas janë në gjendje të keqe. Pas protestës së djeshme reagoi nënkryetari i Bashkisë së Vlorës. Pasi uroi vlonjatët për Ditën e Verës, ai kërkoi ndjesë për situatën e rrugëve në Vlorë, ndërsa e cilësoi si të politizuar protestën e banorëve. Ai deklaroi se brenda muajit korrik rrugët në qytetin e Vlorës do të jenë të shtruara. Po dje reagoi edhe kreu i PS-së së Vlorës dhe deputeti Eltar Deda. Sipas tij protesta është organizuar nga PD-ja duke nxjerrë në rrugë disa drejtorë ndërmarrjesh dhe jo banorë. q.b