Rrëshqitja,shemben banesat në Luftinjë
TEPELENE - Shemben banesat në fshatin Ballaxhiaj të Komunës Luftinjë në Tepelenë. Shirat e rënë kanë bërë të pabanueshme katër banesa në fshatin kodrinor, pak kilometra larg qytetit të Memaliajt. Sipas njërit prej banorëve, i cili është detyruar të largohet për të mos ta zënë shtëpia nën vete, Etem Ballaxhia, bazamenti i shtëpisë ka pësuar rënie disa cm dhe muret mbajtës të tij, janë përkulur në mënyrë harkore çka krijon rrezikshmëri për jetën e anëtarëve të familjes. Familjet e 20 shtëpive të tjera të fshatit, të nxitur nga paniku për rënien e banesave të tyre, janë larguar në drejtime të ndryshme për të jetuar. Banorët thonë se ndonëse kanë lajmëruar autoritetet e qeverisë vendore dhe qendrore në Gjirokastër, atyre nuk u ka shkuar askush për të identifikuar rastet. Si pasojë motit të keq është nxjerrë jashtë funksionimi edhe ujësjellësi i fshatit Izvor po në këtë komunë, duke detyruar banorët të udhëtojnë larg për të siguruar ujin e pijshëm. p.n