E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, kushtet për kompensimin e pronarëve

Qeveria ka miratuar dje procedurat e shpërndarjes së fondit të kompensimit të pronarëve për vitin 2008. 

 Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj është vendosur mënyra se si do të procedohet me kompensimin financiar të pronarëve, kushtet dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë. Në vendim parashikohet që pranimi i kërkesave për kompensimin e ish-pronarëve të nisë 5 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe të zgjasë 30 ditë. Ky vendim në krahasim me një vit më parë, miratohet tre muaj më herët. Burime pranë Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se po shikohet mundësia që në buxhetin suplementar të ketë një shumë mbi 5 milionë dollarësh për kompensimin e ish-pronarëve dhe e njëjta shumë të përsëritet edhe në fund të vitit, duke e çuar totalin në mbi 10 milionë dollarë.

1. Subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është e njohur e gjitha për kompensim dhe që nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, kompensohen, sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij, sipas viteve.
2. Kompensimi të bëhet vetëm për deri 200 (dyqind) m2 të sipërfaqes së caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës, që kompensohet.
3. Subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008.
4. Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë, pranë zyrës së AKKP-së në qendër, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën për kompensim financiar, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, sipas vendimit përkatës së Këshillit të Ministrave, dhe kushtet e tjera, që lidhen me kriteret, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) Vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës, së bashku me planvendosjen  përkatëse;
ç) Dëshminë e trashëgimisë;
d) Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të subjektit të shpronësuar;
dh) Fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit (letërnjoftim, pasaportë) ose certifikatën e lindjes së personit, që ka prokurën e përfaqësimit;
e) Mandatpagesën.
5. Zyra e AKKP-së në qendër, në bashkëpunim me zyrat rajonale, shqyrton dokumentacionin e subjekteve që kërkojnë kompensim.
5.1. Zyra rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kryen veprimet e mëposhtme:
a) Verifikon dosjen dhe vendimin përkatës, të dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendimet e tjera për këtë subjekt të shpronësuar.
b) Kërkon nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që brenda 10 ditëve të konfirmojnë të dhënat për:
i) Vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit përkatës në ZRPP.
ii) Verifikimin e ndryshimit të gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur nga subjekti përkatës.
iii) Verifikimin e regjistrimit dhe të ushtrimit së të drejtës së parablerjes.
c) Kërkon nga SAMT-ja e qarkut përkatës përfitimin e mundshëm të tokës bujqësore, sipas ligjit nr.7501, datë 19.7.1991, "Për tokën".
ç) Verifikon në data base të gjitha vendimet për këtë subjekt, për identifikimin e vendimeve për kthim dhe kompensim të tij.
d) Kryen verifikimin në terren të gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës.
dh) Përgatit planvendosjen e pronës dhe cakton:
i) Në hartën e vlerës, zonën, ku ndodhet prona.
ii) Në bashkëpunim me subjektin e shpronësuar, pjesën e pronës, që kërkohet për t'u kompensuar, kur prona është mbi 200 (dyqind) m2 dhe i kërkon personit, që ka prokurën e përfaqësimit, të nënshkruajë për pjesën që kompensohet.
e) Llogarit vlerën e sipërfaqes, që kompensohet.
ë) Përgatit relacionin, ku shpjegohen me hollësi për secilin subjekt kërkues të kompensimit:
i) Vlefshmëria e vendimit të paraqitur nga subjekti.
ii) Vendimet e tjera, që vërtetojnë njohje dhe kthime të tjera të pronës për subjektin përkatës, shoqëruar me kopje të tyre.
iii) Konfirmimet e Zyrës vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
iv) Vlerësimin e pronës për kompensim.
5.2. Zyra e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qendër shqyrton dokumentacionin e zyrave rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe:
a) Përgatit vlerësimin ligjor të kompensimit.
b) Harton relacionin përkatës.
c) Nxjerr vendimin për kompensim ose jo të subjektit të shpronësuar.
ç) I dërgon subjektit të shpronësuar, Avokatit të Shtetit dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kopje të vendimeve të marra, për t'u dhënë mundësi të ushtrojnë kompetencat ligjore.
d) Shpall listën e subjekteve fituese.
dh) Kryen veprimet me thesarin dhe bankën për kalimin e fondit të kompensimit në të holla në emër të subjektit të shpronësuar, përfitues të kompensimit, apo përfaqësuesit të tij me prokurë, në përputhje me procedurat për zbatimin e buxhetit të shtetit.
6. Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon 30 ditë.
7. I gjithë procesi i trajtimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara duhet të kryhet në përputhje me këtë vendim dhe me afatin ligjor, të përcaktuar në nenin 17/2, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2005, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar.
8. Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, në zbatim të këtij vendimi, sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit financiar dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale, sipas ligjit.
9. Ngarkohen Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›