E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulla e Sahatit, restaurohet për herë të parë monumenti 2-shekullor



Petrika GROSI
Një projekt që synon rikualifikimin urban të sheshit “Skënderbej” dhe të kompleksit të monumenteve të rëndësishme të kulturës që lidhen me të, siç janë Kulla e Sahatit dhe Xhamia e Et’hem Beut, ka nisur zhvillimin e tij kohët e fundit në Tiranë. Nga burimet tona pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës mësojmë do të hiqen të gjitha kioskat dhe ndërtimet pa leje që ndodhen rreth Kullës së Sahatit dhe xhamisë, ndërkohë që specialistët e IMK-së, të drejtuar nga Gjerak Karaiskaj kanë filluar punën për rikonstruktimin e Kullës së Sahatit. Pllakat e vjetra të Kullës së Sahatit do të zëvendësohen me pllaka të reja prej guri, po kështu sipas specialistëve të IMK-së, do të ketë ndërhyrje edhe në pjesët e brendshme të kullës, të cilat do të pastrohen dhe do të lyhen, proces që mendohet të përmbyllet brenda muajit dhjetor 2009. Një tjetër lajm i mirë është se më në fund, pasi specialistët e IMK-së të kenë mbaruar punën e tyre, Bashkia e Tiranës do të rregullojë edhe fushat e orëve të Sahatit, duke blerë dhe instaluar të reja, bashkë me mekanizmin që rrotullon akrepat, të cilët zakonisht e tregojnë orën secili sipas qejfit të vet. Investimi për këtë projekt bëhet nga qeveria e Kuvajtit dhe arrin shumën e pesë milionë eurove. Përveç Kullës së Sahatit, do të restaurohet edhe kupola e Xhamisë së Et’hem Beut. Nga drejtoria e IMK-së është pohuar se do të vendosen edhe tabelat informuese për këtë monument në qendër të Tiranës, si dhe një pllakë mbishkrimore në ballin e Kullës së Sahatit. Është për të ardhur keq që Kulla e Sahatit ka mbetur gjithmonë e harruar sa i takon restaurimeve të saj. Përgjatë dy shekujve të ekzistencës së këtij monumenti nuk është bërë asnjëherë një restaurim i tij.
Kulla nisi të ndërtohej në vitet 1821 - 1822 nga Haxhi Et’hem Beu dhe u përfundua me ndihmën e familjeve të pasura të Tiranës ndërsa montimi i sahatit u bë nga familja Tufina. Ky monument që dikur (deri në vitin 1970) ka qenë ndërtesa më e lartë në të gjithë Tiranën, ngrihet 35 metra në qiell. Në majë të kullës ngjitesh përmes 90 shkallëve në formë spiraleje. Kupola e vendosur në majë, i jep asaj një arkitekturë të tipit San Marko.
Historia e Kullës së Sahatit nis me ardhjen e një kambane nga Venecia, e cila binte sa herë që ndërroheshin orët. Në vitin 1928, Bashkia e Tiranës vendosi që të blinte një sahat modern (për kohën) nga Gjermania, i cili u instalua në kullë por u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas Çlirimit, në vitin 1946, një orë me shifra romake hiqet nga Kisha e Shkodrës dhe vendoset në Kullën e Sahatit, për të mbërritur kështu në vitin 1970, kur dhe u vendos ora që gjendet aty në ditët e sotme.

29 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›