Vendimi merret brenda 45 ditëve
28/02/2005 Ligji i detyron Komisionet Vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave të marrin vendim mbi kërkesat e ish-pronarëve brenda 45 ditëve nga paraqitja e dosjeve. Burimet kanë bërë të ditur se tashmë janë ngritur të 12 komisionet e parashikuara nga ligji. Por ende nuk kanë nisur nga puna pasi nuk është miratuar as metodika dhe as aktet nënligjore. Brenda kësaj jave Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pritet të përfundojë diskutimin e rregullores së funksionimit të komisioneve vendore. Vetëm pas kësaj ish-pronarëve do t'u lejohet që të paraqesin kërkesat e tyre. Gjithashtu ligji përcakton se në rast të pakënaqësive, apo të vonesës në marrjen e vendimeve prej komisioneve vendore dosjet i kalojnë për shqyrtim komitetit shtetëror të kthimit dhe kompensimit të pronave. Ky i fundit është i detyruar që të marrë një vendim brenda 30 ditëve.