Kompensimi për ish-pronarët, në janar '09
Kompensimi financiar i ish-pronarëve për vitin 2008 do të bëhet në dy javët e para të janarit. Garancinë e dha dje në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha, i cili theksoi se "Ligji i Parlamentit përcakton se qeveria do të japë 10% nga të gjitha privatizimet për të përndjekurit dhe pronarët. Dua t`i garantoj pronarët se edhe kompensimi i tyre monetar do të fillojë dy javët e para të muajit janar, prandaj dhe janë bërë të gjitha përgatitjet që këto dy kategori, dy shtresa të shoqërisë të mund të përfitojnë atë që u takon në një kohë sa më të shkurtër". Sipas tij, "përveç kompensimit monetar ju kam kërkuar të gjitha bashkive dhe komunave dhe i kërkoj edhe Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim të ngushtë me to të përcaktojë të gjitha pronat publike, që përveç atyre dosjeve që kemi bërë disponibël, mund t`i bëjmë disponibël për kompensimin e pronarëve". Berisha deklaroi se, "nga ana tjetër një grup tjetër pune i pavarur nga këto po punon për përcaktimin e mundësive të tjera të kompensimit të pronarëve. Pra, do të bëjmë çdo gjë që këto dy procese jetike për paqen sociale të vendit dhe që shoqëria të bëhet e drejtë do të njohë shpejtësinë që nuk kanë patur asnjëherë më parë".