E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, oborret në përdorim kalojnë në pronësi pa pagesë

05/05/2011  Kryeministri shprehet se pasuria iu mohua qytetarëve nga kushtetuta e vitit 1974

Të gjitha familjet që kanë oborre në përdorim dhe që i kanë përfituar ato që me kushtetutën e vitit 1974 të kohës së diktaturës do të kenë mundësi t’i kalojnë ato në pronësi pa pagesë. Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar dje në mbledhjen e qeverisë që të përshpejtohet procesi i njohjes në pronësi të oborreve në përdorim, madje për këtë çështje dje qeveria ka marrë dhe një vendim, i cili saktëson pikërisht procedurën për marrjen e pronësisë të personave që kanë këtë problem. Sipas tij, kjo çështje s’ka pse të kalojë nga agjencitë e legalizimit, por do jenë agjencitë që merren me problemin e pronave dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme ato që do të merren me këtë çështje. Berisha u shpreh se shtysën për këtë problem e ka marrë nga një qytetar i Elbasanit. “Qeveria ka një vendim për oborret e qytetarëve të Tiranës, të Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, kudo. Pas miratimit të kushtetutës barbare të vitit 1974, sepse, ç’ është e vërteta, ishte barbare, e cila asgjësonte pronën private, qytetarëve të Tiranës, Elbasanit, Korçës iu regjistrua si pronë vetëm trualli i shtëpisë, kurse oborret e tyre shekullore u shpallën në përdorim. Qeveria ka një vendim, i cili detyron agjencitë përkatëse të lëshojnë të gjitha dokumentet zyrtare për pronësinë e qytetarëve mbi oborret e tyre. Në Tiranë kjo ka filluar, por një qytetar i Elbasanit nëpërmjet një SMS-je më informon se punonjës zyrtarë i kërkojnë atij të ndjekë procedurën e legalizimit për oborrin e tij, oborr që ai thotë se të paktën 200 vjetët fundit ka mbetur ai që ka qenë”, - tha Kryeministri. Sipas tij, të njëjtën gjë vuajnë dhe ata persona që kanë ardhur nga Kosova që në kohë të Zogut, ku regjimi komunist i njihte ambientet e shtëpive të tyre si oborre në përdorim, por jo në pronësi. “E njëjta gjë ndodh me qytetarë me origjinë nga Kosova, që kanë ardhur këtu para Luftës dhe të cilëve shteti u ka dhënë tokën në përdorim. Në të gjitha kodet e botës ajo është tokë në pronësi. Ndaj do të ndiqet i njëjti rregull. Çdo ligji në botë, po t’i referohesh, toka e banuar prej tyre nuk është tjetër veçse tokë në pronësi”, - tha Berisha

Legalizim dhe për ndërtimet para ’90-s

Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e Drejtësisë të rishqyrtojnë procesin e legalizimit të ndërtimeve para vitit 1990. Duke trajtuar edhe këtë shqetësim të qytetarëve në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha u shpreh: “Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e Drejtësisë të rishqyrtojnë procesin e legalizimit të ndërtimeve para vitit 1990. U bë një lehtësim i madh i tij, por sërish ai meriton rishqyrtim. Kjo sepse ata janë të vendosur aty ku janë me autorizim të shtetit. Në atë periudhë askush nuk mund të ndërtonte shtëpi apo posedonte një truall pa lejen e shtetit. Unë e di që kjo kategori nuk trajtohet njëlloj me legalizimet që bëjmë sot dhe të tjera që kanë ardhur. Por sërish kërkoj të rishqyrtohet kuadri i tyre. Në tërësi ato janë ndërtime brenda vijave të verdha, kanë disa lloj specifikash, në tërësi janë ndërtime në përputhje me planet urbanistike të kohës. E vërteta është se realiteti i tyre është tjetër. Ne e kemi rishqyrtuar atë një herë, por sërish ma kanë sjellë në vëmendje dhe ndoshta e meritojnë një rishqyrtim të dytë.”

Përfituesit nga vendimi

Nga vendimi i fundit i qeverisë pritet të përfitojnë rreth 120 mijë familje që kanë oborre në përdorim dhe kanë një problem të ngjashëm. Heqja e pagesës për oborret është një lehtësim i madh për ta, pasi dhe shuma që do duhej të paguanin në rast se duan ta kalojnë në pronësi është e konsiderueshme. Nga ana tjetër, kalimi në pronësi rrit vlerën e pasurive të tyre të paluajtshme, të cilat në shumicën e rasteve nuk mund t’i përdornin as për kolateral bankar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›