Vendimi për Kosovën bashkon politikën shqiptare
Politika shqiptare la pas për pak orë pasditen e djeshme, problemet dhe kontradiktat e brendshme dhe përshëndeti në mënyrë të përzemërt vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Berisha, kryetari i opozitës, Edi Rama dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, duke ndjekur me pak minuta njëri-tjetrin, e cilësuan vendimin e Hagës si historik, të drejtë dhe të merituar për popullin e Kosovës. Ashtu si edhe dy vite më parë, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, klasa politike shqiptare dje u prononcua njëzëri në mbështetje të vendimit që i dha legjitimitetin e plotë aktit të shpalljes së pavarësisë.
BerishaKryeministri Berisha, në një konferencë për shtyp, pas shpalljes së vendimit të Hagës për pavarësinë e Kosovës, e konsideroi këtë vendim si hyjnor dhe historik për të gjithë shqiptarët kudo që jetonin. Sipas Berishës, GJND u garantoi qytetarëve të planetit se pavarësia e Kosovës është në frymën e plotë të së drejtës ndërkombëtare. Me marrjen e këtij vendimi, sipas Berishës mbyllen në mënyrë përfundimtare edhe pazaret territoriale. “Unë jam kundër çdo përpjekjeje për pazare territoriale. Kjo gjykatë i dha fund, mbylli në mënyrë përfundimtare kapitullin e këtyre lloj pazareve”, theksoi Berisha në fjalën e tij para mediave. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë theksoi se ky akt i vendos të gjithë përpara përgjegjësive të reja. Sipas tij, vendimi i Hagës fillimisht përbën një detyrim të madh, inkurajim madhor që shqiptarët të angazhohen për ndërtimin dhe konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Po kështu, Berisha theksoi se tashmë edhe mes shqiptarëve dhe serbëve duhet të nisë një erë e re marrëdhëniesh. “Shqiptarët dhe serbët, dy kombe të rëndësishëm në rajon, pavarësisht nga historia e shkuar, kanë tani të përbashkët idealin europian. Qeveria shqiptare është e vendosur të kontribuojë për një qëndrim të ri në marrëdhëniet Tiranë-Beograd”, theksoi Kryeministri.
RamaKreu i opozitës, Edi Rama, e konsideroi ditën e djeshme si të shënuar për Kosovën dhe Shqipërinë, si më të bukurën pas shpalljes së pavarësisë dy vite më parë. Sipas tij, vendimi i GJND-së u dha fund qëndrimeve të skeptikëve në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “Ne të gjithë kemi qenë të bindur se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Por, vendimi i sotëm i Gjykatës Ndërkombëtare e sanksionon këtë bindje si një pikë referimi për të gjithë në raport me Kosovën shtet të pavarur”, theksoi Rama. Nga ana tjetër, kreu i opozitës theksoi se politika shqiptare nuk është e ndarë në qeveri dhe opozitë kur flitet për Kosovën dhe rrugën euroatlantike. Rama gjeti dje rastin t’i bënte thirrje edhe Serbisë dhe udhëheqësve të saj, se tashmë kishte ardhur koha të dilnin nga qerthulli i ëndrrave me ndarje territoriale, të cilat vendimi i Hagës e kishte zhbërë tërësisht.
“E ardhmja e këtij rajoni është Bashkimi Europian dhe në rrugën e kësaj të ardhmeje bashkëjetesa sot pas këtij vendimi është edhe më e garantuar se dje. Secili në kufijtë e tij, të gjithë së bashku drejt bashkëjetesës e bashkëpunimit pa kufij”, përfundoi Rama fjalën e tij.
MetaMinistri i Jashtëm, Ilir Meta, njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroi dje menjëherë pas vendimit të GJND-së se tashmë një organ i tillë me rëndësi të lartë konfirmoi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. “U konfirmua qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është një akt i ligjshëm dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si dhe një rikonfirmim i së drejtës së patjetërsueshme të qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi, një kontribut për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, rajon e më gjerë”, thekson ministri i Jashtëm në fjalën e tij. Po kështu, në deklaratën e tij, kryediplomati Meta theksoi se mbështetjen e paekuivok të Shqipërisë për shtetin e pavarur të Kosovës dhe integritetin e saj territorial. Në këtë kuadër, ministri i Jashtëm theksoi edhe angazhimin e Shqipërisë për afirmimin e mëtejshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare, pjesëmarrjen me të drejta të plota të saj në projektet dhe forumet rajonale.
#