E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Prioritet i PD, respektimi i militantëve

Topalli dhe Bode marrin pjesë në 17-vjetorin e krijimit të PD-së, Korçë
KORÇË- Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli ka vijuar dje turin elektoral në bazën demokrate dhe është ndalur në Korçë, ku së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë, Ritvan Bode, kanë marrë pjesë në 17-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në këtë qytet. Ashtu si edhe në mjaft takime të tjera, në fjalën e saj Jozefina Topalli është ndalur te militantët e PD-së dhe deklaroi se, në themel të punës dhe prioriteteve të mazhorancës qëndrojnë respektimi ndaj anëtarëve dhe militantëve të partisë, si në qendër ashtu edhe në bazë. "Busull e misionit tonë mbeten premtimet ndaj të gjithë shqiptarëve, si dhe detyrimet që ne të gjithë kemi ndaj votuesve dhe mbështetësve tanë, në çdo komunë dhe bashki të Shqipërisë",- tha Topalli. Ndërkohë, duke u ndalur te 17-vjetori i themelimit të degës së Korçës, nënkryetarja e PD-së tha se, të tilla ngjarje janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për Partinë Demokratike dhe të djathtën, por dhe për politikën pasi, sipas saj, zhvillimet në një parti dhe degët e saj, janë thelbi i një qeverisjeje të suksesshme. "Partia Demokratike në Korçë ka paraprirë gjithmonë aksionet tona më të rëndësishme politike. Ju gjithmonë keni sjellë një model të suksesshëm të funksionimit politik dhe bashkëpunimit të mirë me pushtetin qendror e lokal. Nuk ka mesazh më të mirë që vjen nga ju sot, të dashur studentë, për ndërtimin e një të ardhmeje evropiane të qytetit tuaj dhe të Shqipërisë sesa angazhimi juaj aktiv në Partinë Demokratike",- tha Topalli. Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ritvan Bode ka mënjanuar fjalimet me natyrë politike dhe është ndalur në një analizë të rezultateve të qeverisë. Njëherësh, ministri i Financave në qeveri, Ritvan Bode tha se rezultatet e qeverisjes janë të prekshme dhe të arritshme nga të gjithë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›