Qeveria miraton projektligjin për bonot e thesarit, hidhen në tregun ndërkombëtar 300 milionë euro bono
Këshilli i Ministrave miraton edhe rritjen e masës së kompensimit financiar, të energjisë elektrike , për shtresat në nevojë
Qeveria miraton ligjin për euro-bondet e para shqiptare në tregun financiar ndërkombëtar. Kreu i qeverisë Sali Berisha u shpreh në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, dalja e Shqipërisë në tregun ndërkombëtar me bonot e saj të thesat, është një fakt i qartë që flet për një zhvillim të rëndësishëm dhe cilësor të ekonomisë dhe financave të vendit. Kryeministri theksoi se afro 300 milionë euro-bono të papërdorura në tregun financiar, do të aktivizohen. “Për herë të parë në tregun ndërkombëtar. 300 mln euro bono në tregun financiar. Ekonomia jonë është në gjendje entuziaste, nuk e cënoi cunami financiar”, u shpreh kryeministri Berisha.
Duke folur mbi këtë vendim, Kryeministri Berisha e vlerësoi atë një arritje të vërtetë, pasi për herë të parë Shqipëria del në tregun financiar ndërkombëtar me bonot veta të thesarit. “Kjo përbën një dëshmi të një zhvillimi shumë të rëndësishëm, cilësor ekonomik dhe financiar të vendit.” Kryeministri theksoi se ndonëse dalin në një kohë globale të papërshtatshme, Shqipëria sërish jep sinjalet më pozitive. “Ekonomia shqiptare këto tre muaj në disa aspekte ka një performacë të paprecedent. Dua tu rinjoftoj se eksportet shqiptare, “Made in Albania”, në tremujorin e parë të këtij viti kanë patur rritjen më të madhe në historinë e këtij vendi, por kanë patur gjithashtu një rritje të paparashikuar krahasuar me tremujorin e parë të viti 2009.” Kryeministri vuri në dukje se eksportet shqiptare, në tërësi, si përqindje, zënë vendin e parë ose të dytë, në botë, për rritjen më të lartë. “Në ton, eksportet e vendit pothuajse janë dyfishuar nga 225 mijë ton , në 390 mijë ton, por rritja në vlerë është më e madhe, nga 6 miliard në 14,9 miliard lekë. Rritje të admirueshme kanë edhe eksportet me mallrat ë përpunuara, fason, nga 19 mijë ton që kanë qenë në tremujorin e parë të viti 2009 kanë arritur në 45 mijë tonë, nga 16 miliard lekë kanë arritur në 20.33 miliard lekë, pra eksportet e Shqipërisë në tërësi kanë rritjen ndofta më të lartën , ose të dytën më të lartë në planet, kjo si përqindje.” Duke vënë në dukje se jo vetëm eksportet, por edhe të ardhurat kanë patur rritje mbi parashikimin, kryeministri i ftoi të gjithë mosbesuesit, që flasin për krizë ekonomike, tu referohen të dhënave të agjencive ndërkombëtare, të cilat dëshmojnë qartë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. “Organet tatimore dhe doganore kanë realizuar marsin, përtej parashikimit më optimist që ne kishim, me një shtesë krahasuar me marsin e vitit të kaluar prej rreth 20 apo 22 %, pra ata që flasin çdo ditë për krizë i ftoj të lexojnë të dhënat për eksportet shqiptare të cilat gjenden jo vetëm nëpër agjencitë e vendit, por edhe në një seri agjencish ndërkombëtare. Ata që flasin për krizë I ftoj të lexojnë të dhënat e të ardhurave dhe ti marrin ato nëpërmjet transaksioneve bankare, taksat në tërësi janë on-line, po kështu edhe doganat dhe nuk kanë asnjë vështirësi, të konkludojnë se ata, të cilat u thonë se kjo qeveri në maj nuk do të ketë para për të paguar pagat, nuk janë gjë tjetër veçse sharlatanë të klasit të parë.” Kryeministri theksoi se tregu i bonove të thesarit do të jetë një treg i favorshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi ato kanë pas mbështetjen e një ekonomie me tregues të lartë të zhvillimit. “Ekonomia është në gjendje entuziaste, entuziazëm të cilin nuk ia cenoi as cunami financiar, as kutia. Ky është realiteti. Kështu që në këto kushte ne jemi optimist se tregu i bonove të thesarit, i eurobondeve do të jetë një treg i favorshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dy institucionet, ndër më kryesoret në botë, Deutsche AG bank dhe JP Morgan kanë marrë përsipër trajtimin e eurobondeve të Shqipërisë. Kështu që ato dalin në treg duke patur pas mbështetjen e një ekonomie , e cila është e pashoqe për treguesit e saj.”
Këshilli i Ministrave miraton rritjen e masës së kompensimit financiar, të energjisë elektrike , për shtresat në nevojë Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për një ndryshim në vendimin “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”. Ky vendim përcakton rritjen e masës së kompensimit financiar me 140 lekë në muaj për cdo përfitues, duke e çuar në total masën e kompensimit të energjisë elektrike në shumën 640 lekë/muaj për çdo përfitues , mbështetur në nivelin e ri të çmimit të miratuar nga ERE. Disa nga kategoritë që përfitojnë nga ky vendim janë: familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjarët që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të punësuar në sektorin publik apo privat; kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, pa të ardhura;familjet e punonjësve buxhetorë me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë, në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të vetëpunësuar në sektorin privat.
...