Plagoset me çifte, dyshohet si grabitës
Një person është plagosur me armë gjahu në rrethana ende të panjohura në kryeqytet, ndërsa policia thotë se është i skeduar
I dëmtuari nuk ka pranuar t'i japë detaje policisë mbi shkakun e mundshëm të plagosjes së tij dy ditë më parë
TIRANË- Plagoset me çifte një person 27- vjeçar në një zonë mes Krujës dhe Tiranës. Policia dyshon se është plagosur gjatë një tentative të tij për të grabitur një banesë në zonën mes Krujës dhe Tiranës, ndërsa vetë i plagosuri që njihet sipas policisë si kontigjent i bluve, nuk ka pranuar t'iu tregojë hetuesve rrethanat e plagosjes apo vendin ku ishte plagosur.
Po kështu i plagosuri nuk ka pranuar as të japë sqarime se kush e kishte plagosur dhe motivet e mundshme të plagosjes së tij. Kështu ka ndodhur dy ditë më parë me Maksim Tushën, 27 vjeç, banor i Tiranës, i cili ka mbërritur i plagosur me çifte dy ditë më paë, në spitalin ushtarak në kryeqytet.
Menjëherë personeli i spitalit ka njoftuar shërbimet e policisë së kryeqytetit të cilët kanë mbërritur në spital për të pyetur të plagosurin Tusha. Fillimisht ai iu ka pohuar punonjësve të policisë se ishte plagosur pranë Zogut të Zi, por nuk iu ka treguar atyre se si ka ndodhur plagosja, apo kush e kishte plagosur.
Ndërkohë mjekët e spitalit ushtarak që po e kuronin iu kanë pohuar punonjësve të policisë si dhe hetuesve të drejtorisë së Tiranës, se personi kishte një plagë me armë gjahu që i kishte shkaktuar atij dëmtime serioze por jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkaq pas këmbënguljes së punonjësve të policisë, i plagosuri ka ndërruar versionin duke dhënë një tjetër, atë të plagosjes në afërsi të kthesës së Kamzës.
Edhe në këtë rast ai nuk ka pranuar të japë autorësinë e mundshme apo dyshimet e tij, duke bërë që policia të ngrejë dyshimet se Tusha, ishte plagosur në një tentativë të tij për të vjedhur ndonjë banesë dhe se mund të ishte plagosur nga ndonjë pronar shtëpie që mund ta kishte kapur atë në banesë në grabitje e sipër.
Edhe këtë version hetuesit nuk e kanë pranuar për shkak të paqartësive që jepte mbi ngjarjen, i plagosuri Tusha. Në fund ai ka dhënë një version që iu është dukur më i besueshëm punonjësve të policisë se mund të ishte plagosur në një zonë mes Kamzës dhe Krujës.
Pikërisht këtij versioni, ai i ka qëndruar në fund pa e ndryshuar, çka ka bërë që efektivët e policisë së Kamzës dhe të Krujës të bënin verifikimet e tyre në këtë zonë për të gjetur ndonjë banor që të denonconte tentativën e ndonjë personi për të grabitur në banesën e tij. Ndërkaq hetues të komisariatit të Policisë së Kamzës, pohuan dje për gazetën "Shekulli" se i plagosuri ishte person i njohur për ta.
Kjo pasi ai herë pas here ishte shoqëruar në ambientet e policisë si i dyshuar për vepra të ndryshme penale. Madje sipas tyre ky person ishte i skeduar dhe vazhdimisht nën vëzhgimin e efektivëve të komisariateve të policisë së Tiranës.
Ndërkaq, policia ka mbajtur nën mbikëqyrje të plagosurin, ndërsa ai ka vazhduar të mjekohet në spitalin ushtarak në kryeqytet, plas plagës së marrë me çifte nga njerëz dhe në rrethana që ai ka preferuar të mos i tregojë për motive ende të panjohura.