E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi, page e plote per femijet e policeve te vrare ne detyre

Kryeministri takon drejtues të Policisë së Shtetit

Eljona Ballhysa
Fëmijët e policëve të rënë në detyrë do të përfitojnë pagën e plotë mujore të babait deri në moshën 18–vjeçare. Këtë premtim e bëri dje kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. Po dje paradite kryeministri Berisha zhvilloi një takim me drejtues të Policisë së Shtetit. Berisha, ndërsa vlerësoi punën e bërë nga Policia e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, u premtoi atyre ndryshimin e statusit për policët e rënë në detyrë. Berisha tha se shteti do të gjendet afër familjeve të këtyre punonjësve të Policisë. Nga miratimi i statusit të policëve pritet të përfitojnë mbi 500 fëmijë që kanë mbetur jetimë nga vdekja në krye të detyrës të mbi 200 policëve. Kreu i qeverisë gjithashtu premtoi se qeveria do të rishikojë ligjet, do të forcojë ligjet kundër krimit dhe do të hetojë pasuritë e vendosura në rrugë kriminale.
Statusi
Ndërsa gjatë mbledhjes së qeverisë Berisha i kërkoi ministrit të Brendshëm që të nisë procedurat për ndryshimin e statusit të policëve të rënë në krye të detyrës. “Status të ri për policët e rënë, fëmijët të marrin pagën e plotë deri në moshën 18 vjeç. Të shpërblehen edhe oficerët e tjerë që morën pjesë në operacionin për kapjen e bandës kriminale”, - është shprehur Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Kryeministri propozoi që me statusin e ri, fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës të përfitojnë pagën e plotë deri në moshën 18 vjeç dhe pas kësaj periudhe bashkëshortet të marrin pensionin e tyre. Kryeministri Berisha kërkoi gjithashtu edhe shpërblimin e oficerëve të tjerë, të cilët morën pjesë në operacionin për asgjësimin e bandës kriminale të Dritan Dajtit.
Takimi
Gjatë takimit me drejtues të Policisë së Shtetit, ku ishin të pranishëm ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, si dhe drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit, kryeministri Berisha shprehu ngushëllimet për humbjen e katër prej efektivave më të mirë të kësaj policie. Ai tha se katër punonjësit e Policisë që humbën jetën i kishin të gjitha mundësitë për ta asgjësuar Dajtin, por nuk e bënë pasi zbatuan ligjin dhe kërkuan që ai të dorëzohej. “Unë dua që shqiptarët ta dinë se secili prej tyre ka rënë në mënyrën më heroike. Se kryekrimineli nxori bandën nga makina dhe anëtarët e njësisë së operacioneve të veçanta, në emër të ligjit, vepruan ndaj këtyre për t’i arrestuar, për t’i ndaluar, ashtu siç e kërkon ligji. Ndërsa drejtuesi i tyre për veten mbajti më të vështirën, më kryesoren, ndalimin e superkriminelit, e terroristit Dritan Dajti. Unë e di se shumë shqiptarë, me mijëra, shtrojnë pyetjen dhe thonë me veten e tyre me dhimbje sikur t’i kishin asgjësuar, por Fatosi, Altini, Kastrioti, Saimiri, edhe në çastet e fundit të jetës së tyre u dëshmuan shtylla dhe morali i ligjit. Ju jeni profesionistë dhe në qoftë se ka një sakrificë sublime për ligjin dhe në emër të ligjit, rasti më i pastër, më heroik, është rasti i tyre”, - është shprehur Berisha, ndërsa shtoi se lufta kundër krimit e ka një çmim, që këtë herë kushtoi shtrenjtë. Megjithatë, kreu i qeverisë theksoi se parësore do të jetë lufta me zero tolerancë kundër krimit. “Lufta kundër krimit ka çmim dhe ne duam që ai çmim të jetë gjithnjë sa më i vogël i mundshëm, por tolerancë zero është parimi ynë i parë. Dhe ata që u ndodhën aspak rastësisht përballë bandës dhe kriminelit bënë atë që duhet të bënin, bënë detyrën, ranë për të fituar pavdekësinë dhe ne do t’i nderojmë gjithmonë. Akti i tyre është një frymëzim i madh për ne, është frymëzim për ju, për ta vazhduar këtë betejë”, - u shpreh Berisha, ndërsa garantoi se “qeveria ju mbështet dhe do t’ju mbështesë plotësisht”.
Kreu i qeverisë premtoi se qeveria do të sigurojë çdo pajisje dhe çdo mjet për luftën më eficiente kundër krimit. “Do të rishqyrtohen ligjet e luftës kundër krimit. Duhet të godasim ekonominë që krijon. Ka pasur një amendim nga ai vendim, do t’i rikthehemi prapë ligjit. Ai që nuk i del zot pasurisë duhet të dridhet nga pasuria e tij. Ai që i del zot, ta gëzojë, ta shumojë çdo ditë e më shumë”, - është shprehur Berisha në fund të fjalës së tij.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›