Nëpunësit e administratës rrezikojnë punën në rast se nuk paguajnë sigurimet e “shërbyesve”
Kryeministri Berisha u ka lënë vetëm 3 javë kohë nëpunësve të administratës shtetërore që t’i paguajnë sigurimet shoqërore punëtoreve të shtëpisë dhe dadove të fëmijëve. Berisha u shpreh se zyrtari që mban punëtor shtëpie të padeklaruar do të largohet menjëherë nga detyra që kryen në administratën shtetërore. “Zoti ministër, zyrtari që mban punonjës shtëpiakë të padeklaruar do të largohet menjëherë nga detyra për fshehje të papranueshme dhe trajtim skllavëror të një individi. Afati për t’i regjistruar ata është data 1 shtator dhe ai që nuk i regjistron përtej kësaj date nuk do të qëndrojë më në administratë, pasi do të konsiderohet jo fshehje pasurie, por edhe më rëndë se kaq. Edhe kur të amendohet ligji për konfliktin e interesit, kjo do të përbëjë konfliktin më madhor”, - është shprehur Berisha. Por, sipas tij, jo vetëm nëpunësit e administratës, por edhe ata që ai i quan borgjezë duhet të deklarojnë punonjësit shtëpiakë. “Ndërsa për zyrtarët është më e thjeshtë, për borgjezinë e re është më e ndërlikuar, por që gjithashtu ka zgjidhje. Në rast se ata nuk i deklarojnë punonjësit shtëpiakë, atëherë do të përpunohet moduli. Duhet ta harrojmë se ka ndonjë asket midis tyre që t’i bëjë të gjitha punët e shtëpisë. Moduli do të thotë që ata, me deklarim apo anonimat, do ta paguajnë punonjësin. Ne u bëjmë thirrje t’i deklarojnë. Edhe një herë dua të sqaroj qytetarët shqiptarë se ne kemi vendosur për ta pagesën më minimale dhe nuk kemi asnjë synim tjetër përveç aspektit strikt humanitar. Nuk duhet lejuar që punonjësit shtëpiakë të rrinë pa një kontribut për pensionin, në një kohë kur ne kemi përcaktuar për kontributin shumën më minimale, 80 apo 100 mijë lekë në vit”, - është shprehur Berisha.
13 Gusht 2009