E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, qeveria ul fitimet e depove farmaceutike

TIRANE- Qytetarët do të kenë mundësinë që barnat t'i blejnë më lirë, fal vendimit që mori qeveria për "përcaktimin e marzheve të fabrikimit dhe të tregtimit të barnave" duke u vënë në këtë mënyrë një çmim tavan farmacive dhe depove farmaceutike.

Çmimi maksimal i tregtimit të barnave nga fabrikuesit vendas caktohet duke shtuar deri në 20 (njëzet) për qind mbi koston e fabrikimit. Gjithashtu në vendim përcaktohet se çmimi maksimal i tregtimit me shumicë të barnave nga importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë caktohet duke shtuar deri në 14 për qind mbi çmimin CIF të importit të barit, e konvertuar në lekë sipas kursit mesatar të njoftuar nga Banka e Shqipërisë, për çdo 6-mujor.

Për barnat e fabrikuara në vend çmimi maksimal i tregtimit llogaritet bazuar mbi çmimin EXW. Marzhi 14 për qind ndahet ndërmjet importuesit dhe shpërndarësit, përkatësisht, 10 për qind dhe 4 për qind. Çmimi maksimal i tregtimit me pakicë të barnave caktohet duke shtuar deri 29 (njëzet e nëntë), për qind mbi çmimin e blerjes nga shpërndarja si farmaceutik.

Për barnat e listës që rimbursohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor zbatohen marzhe të diferencuara, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për barnat që blihen nga institucionet shëndetësore publike çmimi maksimal i tregtimit caktohet duke shtuar deri në 10 për qind mbi çmimin CIF ose EXW dhe për disa nga këto barna zbatohen marzhe të diferencuara, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›