Minatorët, ulet me 5 vjet mosha e daljes në pension
Ulet me pesë vjet mosha e daljes në pension për minatorët. Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin që i hap rrugë uljes së moshës së daljes në pension për minatorët. “Minatorëve iu premtua ulja e moshës së pensionit me 5 vite. Edhe ky ligj shkon në Parlament. Minatorët në Shqipëri nuk do të dalin 65 vjeç në pension, por 60”, u shpreh dje kreu i qeverisë, Berisha. Sipas tij, Ministria e Financave do të paraqesë edhe skemën për rritjen e pensionit për minatorët. “Ministria e Financave ka marrë porosi dhe udhëzimin që të paraqesë skemën e rritjes së pensioneve të tyre, që minatorëve u është premtuar, së bashku me uljen me 5 vjet të moshës së pensionit. Ne duhet të jemi realistë. Ata kanë qenë njerëzit që kanë kontribuar në të ardhurat kombëtare më shumë dhe që kanë marrë më pak. Tani është koha që pensionet e tyre të rivlerësohen, në mënyrë që edhe ata të ndjejnë qëndrim të ri ndaj tyre”, është shprehur ai. Ulja e moshës së daljes në pension është kërkuar shpeshherë edhe nga minatorët. Madje jo pak herë minatorët kanë kërkuar edhe përmirësimin e kushteve të tyre të punës.