E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendorët, KQZ-ja do të djegë fletët e votimit

09/12/2009  Mbetet pezull procesi shumë i debatuar për materialet zgjedhore të zgjedhjeve të 28 qershorit

KQZ në dilemë, Kodi përcakton asgjësim pas përfundimit të afatit për ankimet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje të djegë fletët e votimit të përdorura në zgjedhjet vendore të 15 tetorit 2009 në pesë njësi, si dhe ato të zgjedhjeve që u zhvilluan në Ballagat më 2 gusht të po këtij viti. Ky institucion e mori këtë vendim në mbledhjen e djeshme, ndërkohë që nuk ka asnjë vendim për fletët e votimit që u përdorën më herët, më 28 qershor në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Për këto fletë ka një debat të fortë mes dy forcave kryesore politike, të shndërruar në një konflikt mes dy qeverisjeve: asaj qendrore dhe vendore. Ndërkohë që Kodi Zgjedhor njeh të drejtën e djegies së fletëve dhe të kudërfletëve menjëherë pas përfundimit të procesit ankimor. “Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, - përcakton neni 178 i Kodit Zgjedhor. Sipas udhëzimit të KQZ-së të miratuar në vitin 2006, KQZ-ja fillimisht do të hapë kutitë e materialeve zgjedhore dhe kutive të votimit të njësisë zgjedhore dhe, pasi të bëjë ndarjen e dokumentacionit, do të procedojë me djegien e fletëve të votimit. Materiali që nxirret nga kutitë e votimit dhe kutitë e materialeve zgjedhore përbëhet nga dokumentacioni për arkivim, materialet që mund të ripërdoren dhe materialet që do të asgjësohen. Në dokumentacionin që do të arkivohet dhe dërgohet në Arkivin Qendror të Shtetit, ku përfshihen Librin e Protokollit, regjistër i posaçëm i zgjedhësve, lista e zgjedhësve. Materialet që mund të ripërdoren janë ligji për zgjedhjet, kutitë e votimit, boja matrikuluese etj. Ndërkohë që në materialet që do të asgjësohen përfshihen fletët e votimit dhe kundërfletët.

Reagimi i kryetarit të PS-së

Debati i hapur në fillim të muajit tetor për djegien ose jo të fletëve të votimit u ndoq nga deklarata e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili e cilësoi “dhunim të opozitës” përpjekjen për të asgjësuar fletët e votimit. Gjatë një konference për shtyp ai tha se, në rast se do të asgjësohen fletët e votimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të jetë dhunim i hapur i opozitës. “I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se prekja e kutive të votimit apo – largqoftë për të e për ushtarin e tij fanatik në krye të KQZ-së! – asgjësimi i kutive ndërkohë që ne kërkojmë hapjen e tyre jo vetëm që nuk do ta shpëtojë këtë pushtet të korruptuar e korruptues nga përballja me të vërtetën e popullit opozitar, por përkundrazi, do të konsiderohet prej nesh si një shprehje e patolerueshme e dhunës ndaj opozitës”, - tha Rama. Ai kërkoi në vijim ndaj qeverisë që tu përgjigjet kërkesave legjitime, siç i quajti ai, të opozitës për të normalizuar jetën parlamentare të vendit.

Deklarata e kreut të KQZ-së

Gati dy muaj më parë, 15 nëntori u cilësua afati i fundit për qëndrimin në kuti të fletëve të votimit të shpallura të pavlefshme ose të panumëruara. Zgjedhjet e pjesshme lokale të kësaj date u duk se do ta detyronin KQZ-në të vendoste për djegien e fletëve të votimit, duke lënë në Arkivin Shtetëror vetëm procesverbalet me rezultatet e çdo qendre votimit. Kjo jo më kot, por referuar deklaratës për mediet të vetë kreut të KQZ-së Arben Ristanit. “Fletët do shkatërrohen në limitet kohore të mundshme, por kutitë duhet të jenë bosh më datën 15 nëntor”, - tha ai. Por duket se KQZ-ja ndodhet në pozitë kritike referuar kohës kur debati ndërmjet mazhorancës dhe PS-së për hapjen e kutive për rinumërim është thelluar më tej. Në ligjet e mëparshme zgjedhore përcaktohet një afat për djegien e fletëve të votimit, ndërsa tani kjo çështje i është lënë në dorë vetë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›