E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PSE nuk ka bërë rezolutë për Shqipërinë”

09/12/2009  Socialistët evropianë përgënjeshtrojnë PS-në

Sipas Tomson, Kongresi nuk kishte në program vendin tonë

“Kongresi i partive socialiste europiane nuk ka miratuar asnjë rezolutë për Shqipërinë”, - ky është qëndrimi i ardhur dje nga zëdhënësja e Partisë Europiane Socialiste, Silke Tomson, lidhur me deklaratën e bërë dy ditë më parë nga Partia Socialiste, sipas së cilës gjatë tryezës për Ballkanin PES-ja doli me një qëndrim mbi zhvillimet politike në Shqipëri. Në këtë deklaratë të shpërndarë nga PS-ja thuhej se kongresi i PES-së i bën thirrje koalicionit qeverisës të respektojnë liritë dhe të drejtat kushtetuese, duke garantuar transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit përmes një hetimi parlamentar që plotëson të gjitha kërkesat legjitime të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Duke iu referuar këtyre deklaratave, Tomson u shpreh se “kongresi i partive socialiste dhe socialdemokrate në Pragë nuk diskutoi për Shqipërinë. Shqipëria nuk ka qenë në programin e kongresit të partive socialiste në Pragë”. Ndërkohë, dhe pse u përgënjeshtrua një deklaratë e tillë e PS-së, sërish kryetari i kësaj të fundit, Edi Rama, vijoi të ndjekë të njëjtin qëndrim. “PSE-ja është shprehur qartë në mbështetje të PSSH-së, në mbështetje të kërkesave tona legjitime për të bërë transparencën e plotë të procesit elektoral të 28 qershorit, në mbështetje të një hetimi të thellë dhe të plotë parlamentar, duke filluar nga transparenca e kutive të votimit. Është shumë e rëndësishme sot që socialistët dhe progresistët shqiptarë kanë marrë këtë mbështetje dhe duke filluar nga sot ne jemi pjesë e kësaj Partie Socialiste të evropianëve në gjithë hapësirën e BE-së, e cila mbron të drejtat tona, e cila është avokate e lirive dhe njëkohësisht të gjitha të drejtave ligjore, kushtetuese, qytetare të të gjithë atyre që e përbëjnë këtë forcë të madhe”, - theksoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›