E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Jemi anëtarë me të drejtë vote

09/12/2009  Asocimi në PSE, PS-ja kundër statutit, pretendon anëtarësimin

Kongresi i partive socialiste asocioi dje Partinë Socialiste në familjen evropiane socialiste. Por dhe një vendim i tillë u trajtua në një tjetër formë nga Partia Socialiste. Konkretisht, nëse vetë ky kongres përcaktoi qartazi modalitetet e këtij anëtarësimi, PS-ja preferoi të japë versionin e saj mbi këtë çështje. Sipas kryetarit të grupit parlamentar të socialistëve në parlamentin evropian, Martin Schultz, dje në Pragë kongresi i partive socialiste asocioi Partinë Socialiste në familjen evropiane socialiste. Sipas statutit të PSE-së, anëtarët e asociuar kanë të drejtë për të marrë pjesë në takimet në të cilat ata janë të ftuar me të drejtën e shprehjes dhe të drejtën e iniciativës, por pa të drejtë vote. Ndërkohë PS-ja nga ana e saj e konsideroi veten, sipas kryetarit Rama, si një parti me të drejtë vote në këtë familje.

Vendimi

“Sot në Pragë kongresi i partive socialiste asocioi Partinë Socialiste në familjen evropiane socialiste. Ky është një sukses i madh për të gjithë ne. Është mbi të gjitha një sukses për ju dhe për Shqipërinë, pasi është një hap më tej juaji drejt Europës. Ne socialistët europianë besojmë se Partia Socialiste e Shqipërisë është një anëtar i ri i fortë dhe i rëndësishëm për familjen tonë. Ka shumë gjëra që duhen bërë në vitet që do të vijnë. Na duhet të përmirësojmë më tej jetën e qytetarëve tanë në të gjithë Europën, e sidomos në vendin tuaj”, - deklaroi kryetari i grupit parlamentar të socialistëve në PE gjatë fjalës së tij.

Qëndrimi

Kreu i PS-së, Edi Rama, ndalur në një vendim të tillë, u shpreh se “kjo është një ngjarje historike për Partinë Socialiste, është ngjarje historike për gjithë socialistët dhe progresistët shqiptar, sepse ne sot jemi anëtarë me të drejtë vote të Partisë Socialiste Evropiane. Pra, PSSH-ja është integruar në BE, duke u bërë pjesë e PSE-s me të drejtë vote, me përfaqësi në kongresin dhe presidencën e saj”. Po në këtë linjë, Rama shtoi se “jam shumë krenar që ne kemi paskëtaj jo vetëm të drejtën, por dhe të gjitha mundësitë që të ngremë zërin dhe të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet në këtë strukturë të socialistëve dhe progresistëve evropianë, që ka zëdhënësit e vet në Parlamentin Evropian dhe mishëron idealet e këtij shekulli, duke përfaqësuar të gjitha partitë socialiste dhe progresistë të BE-së dhe duke pasur në përbërjen e saj të gjithë liderët socialistë dhe progresistë, që kanë drejtuar, drejtojnë dhe do të drejtojnë vendet e BE-së”.

Statuti i PSE

Sipas statutit të PSE-së, anëtarët e asociuar kanë të drejtë për të marrë pjesë në takimet në të cilat janë të ftuar me të drejtën e shprehjes dhe të drejtën e iniciativës, por pa të drejtë vote. Ndërkohë më tej shtrohet dhe një tjetër argument, i cili solli një vendim të tillë. Sipas këtij argumenti, PS-ja u anëtarësu falë nënshkrimit të MSA-së. Vendet nënshkruese të MSA-së anëtarësohen automatikisht.

Presidenti i PES, Rasmusen

“Të dashur miq! Sot është një ditë historike. Në emër të PES-së unë i uroj mirëseardhjen Partisë Socialiste të Shqipërisë në familjen europiane të socialistëve. Shpresoj që ju do të dini të ecni përpara, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike, ashtu siç bëjmë të gjithë ne brenda familjes sonë. Ju uroj edhe një herë dhe shpresoj që të bashkëpunojmë për të mirën e Shqipërisë”, - u shpreh dje në përshëndetjen e tij Presidentit i PES-së Poul Nayrup Rasmussen me rastin e anëtarësimit të PSSH-së në familjen e socialistëve evropianë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›