E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendorët e majtë në Fier: PD-LSI, një koalicion kamikazësh

Reagimi Vazhdojnë protestat e opozitës në të gjithë vendin. Vendorët ankohen për bllokimin e buxheteve

Pasditen e së premtes, në sheshin përpara Bashkisë së Fierit është mbajtur protesta e radhës e Partisë Socialiste. Kjo protestë vjen në valën e atyre reagimeve qytetarë, të cilët kanë dy javë që kanë nisur në të gjithë Qarkun e Fierit. Përveç një numri të madh të administratës së bashkisë, në protestë kanë marrë pjesë përfaqësues të shoqatave operuese në rreth, siç janë shoqata e ish-ushtarakëve, ajo e pensionistëve etj. Përfaqësuesi i shoqatës së ish-ushtarakëve, ndërsa ka kërkuar nga qeveria dhe kreu i saj Sali Berisha njohje të statusit të ushtarakut, ka thënë në formë ultimatumi se “edhe me gjak ne do të kërkojmë fitoren e mohuar dhe hapjen e kutive”. Duke u përqendruar te ngjarja e Gërdecit, kreu i Shoqatës së ish-Ushtarakëve ka thënë se në protestën e 30 prillit dhe atyre në vijim ish-ushtarakët do të jenë prezent. Ndërkohë që kryetarët e bashkive Patos e Fier, respektivisht Bardhi Meli dhe Baftjar Zeqaj, e kanë përqendruar fjalën e tyre te buxhetet e bllokuara nga këshillat bashkiakë, mazhorancat e të cilëve drejtohen nga koalicioni PD-LSI-PDI. Bardhi Meli i ka cilësuar këshilltarët “pjesë e kësaj mazhorance të re kamikazë, të cilët marrin urdhra për të rrëzuar pa asnjë shkak buxhetet dhe i përmbushin këto urdhra”. Gjithashtu ai ka thënë se të gjitha njësitë e qeverisjes vendore në shkallë vendi që drejtohen nga të majtë po përballen me këtë situatë të rëndë ekonomike. Kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, tha se të gjitha institucionet që varen nga qeveria drejtohen nga militantë të paaftë dhe aspak profesionistë. Sipas tij, politika e arnuar e PD-së po përpiqet që të bllokojë edhe Bashkinë e Fierit, investimet e saj, me qëllim që të përdorë situatën për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Deputetët e pranishëm në protestë kanë qenë Albert çaçi dhe Armando Subashi. çaçi e krahasoi situatën e rëndë ku ndodhet Shqipëria sot me situatën e vitit 1997. Ai dhe të gjithë moderatorët bënë thirrje për mitingun e datës 27, që do të zhvillohet në Fier, si dhe valën e mitingut që do të nis më 30 prill përpara Kryeministrisë. Sakaq, në Lushnjë 170 familje të fshatit Shegas janë mbledhur në protestë paraditen e së premtes dhe kanë thënë se prej vitesh vuajnë braktisjen e qeverisë. “Te ne, politikanët vijnë vetëm për votat”, u shpreh një nga banorët. Një pjesë e komunitetit të qytetit të Cërrikut, dje paradite ka dalë në protestë për ujë dhe bukë. Ndërsa për dhjetëra vite ishin të detyruar të shtrëngonin të ardhurat e tyre për të siguruar ushqimin bazë, bukën, tashmë numërojnë qindarkat për të blerë dhe ujin e pijshëm. Këto ishin motivet e protestës së djeshme, organizuar nga vetë banorët dhe të mbështetur nga kryebashkiaku Arben Uruçi dhe një pjesë e deputetëve socialistë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›