Vendoret, procedim penal për 8 ish komisionerë
Nën akuzat për Shpërdorim të detyrës të kryer në bashkëpunim, dhe të Falsifikimit të dokumentave dhe rezultateve të zgjedhjeve Prokuroria e rrethit Gjyqësor Lezhë njoftoi sot se, ka paraqitur për gjykim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, procedimin penal në ngarkim të 8 ish komisionerëve, ne zgjedhjet vendore te 8 majit.
Te akuzuar jane shtetasit;
1. Lulzim Paloka,
2. Ndoc Marku,
3. Mark Kola,
4. Zef Gjoni,
5. Pjetër Marku,
6. Pal Prendi,
7. Gentian Kovaçi,
8. Gent Marku,
Sipas Prokurorisë, këta shtetas kanë nënshkruar vetë në listën e zgjedhësve, kanë plotësuar fletë votimi e kanë votuar në emër të zgjedhësve që nuk janë paraqitur për të votuar e që nuk kanë qënë as në Shqipëri.
Po ashtu, këta të pandehur duke qenë me detyrën e përpilimit, vlerësimit dhe ruajtjes së dokumentave zgjedhore kanë paraqitur në këto dokumenta zgjedhore të dhëna të pasakta e të pavërteta sikur përpara Qendrës së Votimit Nr.0699 janë paraqitur shtetas të cilët në fakt nuk janë paraqitur, kanë shkruar në dokumentat zgjedhore numra pasaportash dhe kartash identiteti të cilat nuk ekzistojnë ose nuk janë në emër të shtetasve të cilët rezultojnë të kenë votuar në këtë qendër votimi, si dhe kanë hedhur fletë votimi për shtetas të cilët nuk janë paraqitur për të votuar.
Në komunën e Dajçit të rrethit Lezhë si kandidat për kryetar komune kanë qenë shtetasit Rrok Rroku përfaqësues i koalicionit politik Aleancës për të Ardhmen dhe Gjergj Doçi i koalicionit politik Aleanca për Qytetarin.
Në përfundim të zgjedhjeve me vendimin me Nr.471, datë 13.05.2011 të Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve Nr.37, Qarku Lezhë Për miratimin e Tabelës përmbledhëse të Rezultatit për Zgjedhjen e Kryetarit të Komunës Dajç, thuhet ne njoftimin e Prokurorisë, është vendosur shpallja si fitues i Z.Gjergj Gjin Doçi të koalicionit Aleanca për Qytetarin.