Vendorët socialistë, 5 kushte Berishës
Të zgjedhurit vendorë të Partisë Socialiste protestuan dje para selisë së Kryeministrisë, duke kërkuar më shumë autonomi vendore. Vendorët e majtë deklaruan se në projektbuxhetin e vitit 2010 do të ketë më pak fonde për pushtetin lokal dhe sipas tyre, njësitë vendore të majta po diskriminohen. “Vetëm në Tiranë, ky vendim krejt i çmendur në kohën e një krize të tillë ekonomike, do të bënte që 3800 subjekte të kalonin në 1 janar nga biznes i vogël në biznes të madh dhe t’i paguanin qeverisë 2-3 herë më shumë sesa gjatë vitit 2009, kur Sali Berisha u qante hallin se po vuanin nga barra fiskale e pushtetit vendor. “Sipas përllogaritjeve tona, më shumë se gjysma e tyre do të falimentonin menjëherë, ndërkohë që Bashkia e Tiranës do të humbte në çast një vlerë marramendëse të barabartë me dyfishimin e ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë të Tiranës”, - deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, referuar vendimit të qeverisë për futjen në skemën e TVSH-së bizneset me mbi 50 milionë lekë xhiro vjetore. Vendorët e majtë bënë 5 kërkesa drejtuar qeverisë dhe kërkuan një përgjigje pozitive para datës 5 dhjetor, ndryshe ata paralajmëruan protesta. Së pari kërkuan që të anulohet amendamenti i majit 2009 në ligjin bazë të taksave e tarifave vendore ku qeveria, në rrugë antikushtetuese, ndërhyri direkt në përcaktimin e nivelit të tarifave; Të anulohet vendimi i tetorit 2009 që bizneset e vogla me xhiro nga 5 në 8 milionë nuk i klasifikon më si të tilla po si biznese të mëdha; Të bëhet më në fund kompensimi i të ardhurave të munguara, 5 vjet me radhë, në arkën e bashkive e komunave nga përgjysmimi arbitrar i taksës së biznesit të vogël në vitin 2005; T’i jepet fund praktikës joevropiane, korruptive, klienteliste e partiake të granteve konkurruese për nevojat e funksionet bazë të njësive vendore dhe pjesa e buxhetit të shtetit për njësitë vendore të ndahet në bazë të një formule bashkëkohore kriteresh objektive, ku të gjitha bashkitë dhe komunat marrin çfarë u takon pavarësisht nga ngjyra e tyre politike; Të aplikohen më në fund taksat e ndara ashtu siç e përcakton Ligji Organik i Qeverisjes Vendore këtu e dhjetë vjet më parë lidhur me tatimin mbi te ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive.