Ekstradimet rkthehen në Kuvend
Komisioni i Ligjeve do të nisë sot shqyrtimin e projektligjit “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale” ose i njohur ndryshe si projekti i ekstradimeve. Ky projektligj u kthyer mbrapsht nga Ministria e Drejtësisë për të marrë disa mendime shtesë të Prokurorisë. Edhe misioni EURALIUS ka dhënë disa mendime të tjera. Prokuroria ka shfaqur shqetësimin e njoftimeve si dhe të letër-porosive që rregullohen më ketë projekt. Ndryshimet parashikojnë zhdërvjelltësim të procedurave për të pasur ekstradime të shpejta. Nevoja e hartimit të këtij projektligji lind nga problemet e hasura në praktikë në marrëdhëniet me autoritetet e huaja dhe nga vështirësitë në lidhje me aplikimin e konventave të ratifikuara nga Shqipëria në fushën penale, veçanërisht për sa u përket raporteve të ligjit të brendshëm me atë ndërkombëtar. Hartimi i këtij ligji i shërben përmirësimit të marrëdhënieve me autoritetet gjyqësore të huaja dhe shmang shumë probleme, si të karakterit procedural, ashtu edhe të mospërputhjes midis ligjit vendas dhe atij të huaj.