E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendos Roben, Bajerni një hap larg finales

GJERMANI- Arjen Roben ka qenë sërish njeriu deciziv i Bajernit të Mynihut, në gjysmëfinalen e Champions League përballë Lionit, luajtur në “Allianz Arena”. Holandezi realizoi një supergol në minutën e 69-të, duke goditur fuqishëm nga jashtë zone, për të zhbllokuar një ndeshje tepër të vuajtur deri në ato momente për bavarezët. Fitorja 1-0, megjithëse minimale, u jep një avantazh të madh gjermanëve për takimin e kthimit të martën e ardhshme në “Gerland”. Gjithsesi, nuk ka qenë aspak e lehtë për skuadrën e Van Gal, e cila që nga minuta e 37-të është detyruar të luajë me 10 vetë për shkak të kartonit të kuq të marrë nga Frenk Riberi.

I ndodhur nën një presion asfiksues për shkak të skandalit rozë me një prostitutë minorene, francezin nuk e kanë mbajtur nervat, duke ndërhyrë mjaft rëndë ndaj Lisandro Lopez. Rozeti vetëm 2 metra larg nuk e ka falur, ndërkohë që pohimi me kokë i bërë nga Bekenbauer në tribunë, tregon se vendimi ishte vërtetë i drejtë. Përpos kësaj, Bajerni nuk është dorëzuar. Numri i futbollistëve në fushë është barazuar në minutën e 54-t, kur Zheremi Tulalan mori kartonin e dytë të verdhë në harkun e 3 minutave, duke lënë edhe ai ekipin e tij me 10 vetë. Lioni më pas ka qëndruar vetëm në mbrojtje, por gjermanët kanë ditur të gjejnë hapësira. Gomez apo Myler gjithsesi kanë gabuar shumë. Në minutën e 69-të, goli i Roben praktikisht mbylli ndeshjen, sepse francezët nuk është se e shqetësuan aq shumë portën e mbrojtur nga Hans Jorg But.

Bajerni mund të kishte realizuar një gol tjetër po me anë të Roben, por goditja e tij nga kufijtë e zonës u bllokua nga portieri Hugo Loris. Ndeshja e kthimit do të luhet të martën e ardhshme, por rezultati i marrë sonte është shumë favorizues për Bajernin. Një moment i veçantë ka qenë edhe ai i ndërrimit të Arjen Roben. Lojtari nuk e miratoi vendimin e Van Gal dhe e shprehu hapur protestën, por trajneri holandez e kritikoi ashpër në dalje, përpara kamerave televizive. Një shenjë e disiplinës që Van Gal kërkon nga lojtarët.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›