Votuesi shqiptar përballë propagandës mashtruese të trashëguar
Nuk është një slogan thënia që ndeshet kudo se propaganda majtiste është vetëm retorikë boshe, me tipare të trashëguara për të paraqitur dështimin për sukses. Është thënë shpesh se majtizmi ynë ndryshon kryekëput nga ai euroatlantik. Kjo e vërtetë mbështetet në tiparin e tij, se majtizmi ynë më i skajshëm është ngërthyer nga nostalgjia.
Nostalgjia për diktaturën që lamë pas është e pamohueshme. Mbartësit e kësaj së keqeje, duke mos e mohuar dot këtë dukuri keqndjellëse për vendin tonë të mjeruar nga komunizmi enverist, kërkojnë ta shndërrojnë këtë temë (lënien në harresë të ngjarjeve komprometuese), në një çështje-tabù.
Pikërisht këto ngjarje domethënëse, që propagandistët alla Erion Braçe, zëdhënësit të Edvinit, kërkojnë të mos u përmenden, duhen nxjerrë nga pluhuri i harresës që kundërshtarët e arsyes së shëndoshë, nëpër panelet tona televizive, të vihen përpara përgjigjes së detyruar të pohimit apo të mohimit. Në një tryezë televizive të këtyre ditëve në një rrjet televiziv të kryeqytetit, u gjendën përballë njëri-tjetrit zonja Përnaska me z. Balla, për problemin e Dosjeve. Përnaska e mbrojti shumë mirë tezën që detyra e pastrimit për një periudhë 5-vjeçare nga personat e implikuar në masakrën komuniste, është një imperativ historik i domosdoshëm për vendin tonë, që të shkëputet njëherë e mirë nga ajo e kaluar diktatoriale që po mban peng ecjen përpara të vendit tonë. Përballë nihilizmit të Ballës, Përnaska përmendi sukseset e njëmendta të qeverisjes së tanishme, që i hapën rrugën Shqipërisë jo vetëm në aderimin në NATO, që është te dera, por zgjojnë edhe një perspektivë të sigurt për pjesëmarrjen në familjen e BE-së. Pasi ia lavdëroi prirjet demokratike të vendit të kundërshtarit të tij përballë, Librazhdit, ajo nuk ngurroi të thotë, nga ana tjetër, se bash në atë qytet diktatura ekzekutoi më kot dy nga poetët e rinj me talent të spikatur. Balla e miratoi lavdin për Librazhdin dhe qé pikërisht ky qytet që Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës i ngriti përmendoren këtyre poetëve,- tha ai. Por shtoi edhe se dy nga ata që spiunuan Vilsonin dhe Gencin sot janë persona me përgjegjësi në PD. Përnaska i tha se ja përse duhet lustracioni, pa dallime “të tutë, të mitë”. Por në këtë pikë, drejtuesi i emisionit kaloi gjetiu dhe kjo çështje u mbyll me kaq.
Nuk e di nëse do të nxirrte një gjë që po kërkon të harrohet, zonja Përnaska, nëse do të ishte koha e mjaftueshme. “Ata persona që përmendni ju, i përgjigjen apo jo së vërtetës, meqë nuk po iu përmendni as emrat. Por unë mund të nxjerr emër. Në librin “Vilsoni dhe Genci” jo vetëm që përmendet një grua-vip në politikë, i aleates suaj P. Socialdemokrate, që ka bërë akt-ekspertizë kundër të dy viktimave të komunizmit, por aktkspertiza e saj është dhënë nga kreu në fund, në këtë libër, me firmën e saj në fund. Kjo grua është propagandistja juaj dhe nuk del rrallë në televizor. Do t’ia përmendni ju emrin, apo t’ia nxjerr unë?”.
Çdo të përgjigjej Balla, në një rast të tillë të supozuar? Ne kemi përpara ujkun, ndërsa na thuhet të shohim gjurmët! Ka gjasa që ata që kanë dalë në gjyq kundër poetëve të talentuar që u ekzekutuan, të jenë një sajesë. Kurse ajo (ai person) që ndihmoi diktaturën në vendimin e saj, nuk mund të jetë sajesë. Madje personi në fjalë as që ka marrë mundimin të tregojë një pendesë të sinqertë. Ata të supozuarit mund të jenë edhe të detyruar, përkundrejt një shfarosjeje të familjes së tyre, nëse nuk dilnin si dëshmitarë të rremë. Kurse aktekspertizat paguheshin me honorare; dhe një person që nuk donte t’ia shtrëngonte lakun në fyt një të pafajshmi, mund t’i shmangej me një pretekst të argumentuar aktekspertizës. Cili ishte fajtori i vërtetë?
Le të përgjigjet Balla, nëse e lexon këtë shkrim!
Duke e mbyllur këtë çështje të dosjeve, për të cilën majtizmi po abuzon me atë lajtmotivin e pakushtetueshmërisë, na jepet të bëjmë një pyetje të thjeshtë: A është kushtetuese pjesëmarrja në cenimin flagrant të të drejtave elementare të njeriut, të prekur në mënyrë flagrante nga shërbestarë të paskrupullt të diktaturës, të përlyer në dënime kapitale apo ekstreme ndaj individësh të vënë nën shënjestër nga një totalitarizëm aluçinant, që sajon “armiq” të pafajshëm? A janë kushtetuese revokimet e krimeve, për arsye kohore? A mundet që vendimet e Helsinkit për moscenimin e të drejtave njerëzore të bien ndesh me cilëndo Kushtetutë të një shteti demokratik? (Të drejtat njerëzore quhen ato të xhelatit, apo ato të viktimës?).
Për këto lloj rebusesh, për të mbajtur kurdoherë në këmbë kthetrat e nostalgjizmit zvarritës, ka thënë mirë i ndjeri Arbnori, se ngatërrestarët e problemeve të qarta të demokracisë “nuk janë vetëm socialista, por edhe specialista”.
Këtë specialitet ata e kanë të trashëguar, siç e kemi thënë në rreshtat e parë të këtij shkrimi.
Ata specialistë, janë të paarritshëm sot, - siç është bërë gjerësisht e njohur, - në konspiracione bodrumesh, ku mblidhen dhe sajojnë akuza të paqena ndaj demokracisë dhe përparimeve të saj të tanishme. Për çështjen e të ndierit Trebicka nuk po flasin më, pasi çështja doli e qartë në dritën e diellit nga ekspertiza amerikane. Por, ama, ata u bënë vetë hetues, vetë prokurorë, vetë gjykytës dhe nuk pritën asnjë verdikt zyrtar, por e mbytën dynjanë me propagandën e tyre shurdhuese për fajësira të paqena. Kështu po vazhdojnë edhe pas kësaj çështjeje, për të mbuluar korrupsionin e tyre të pandëshkuar. Këtu është rasti për të dhënë një citat nga më interesantët, nga dora e mjeshtrit të demaskimeve të diktaturës, Ismail Kadaresë:
Ofiçina e legjendave (I. Kadare)
“...Përbri ndërtesës ngjyrë kafe të verdhë të Ministrisë së Brendshme, ndër dy-tri gjërat thelbësore që me vinin vetvetishëm ndërmend, ishin: atjé, midis zyrave plot të fshehta dhe krime, ishte edhe një zyrë që fabrikonte pëshpërima, thashetheme, gjëra të paqena, me fjalë të tjera: legjenda....Në muajin mars, diktatori shqiptar kthehej zakonisht nga pushimet e tij të dyta, që i bënte në Vlorë Të gjithë e prisnin me gjak të ngrirë këtë kthim, sepse të gjithë e dinin se atjé, në Vlorë, pikërisht në fund të muajit shkurt dhe në fillim të marsit, në trurin e tij të sëmurë, shestoheshin komplotet e ardhshme të paqena, spastrimet, goditjet, tmerret. Ishte ai vetë që ia jepte idetë kryesore ofiçinës së legjendave. Njëlloj si Agamemnoni, tre mijë vjet përpara, kur shpallte përpara shefave të ushtrive aleate në Aulidë se, për hir të fitores, do të vriste vajzën e vet”.
Ç’model qeverisës po na serviret për gëlltitje?
Propaganda mashtruese e trashëguar, përmes gërnetës shurdhuese (të markës “Rama”), po kërkon të na mbushë mendjen, me anë të një politike propagandistike, së cilës i ka dhënë edhe një mbiemër grotesk, “e Ré”, se na pret një parajsë e vërtetë, me fitoren e Partisë së tij, të provuar në mënyrë të patrandshme gjatë një tetëvjeçari dështak. Propaganda e tij kërkon të na kthejë prapa, në këtë tetëvjeçar mjeran, që e kemi hequr në kurriz. Kjo është e reja e tij?
Pot le t’ia lëmë fjalën, edhe për këtë, një regjistruesi të vëmendshëm të ngjarjeve të atyre kohërave të dhimbshme, që ka shkruar një ditar pesëdhjetëvjeçar, krejtësisht të besueshëm. Autori, Nezir D. Isufi, ka shkruar librin “Ditari i një katundari”, një vepër vërtet e rëndësishme, që na pasqyron modelin më të keq të një qeverisjeje të dështuar:
E enjte, 27 janar 2000: “Hapa televizionin në një stacion privat. Po jepte demonstratat që kishin shpërthyer sot në Tiranë kundër qeverisë se ajo, qeveria, mbrëmë natën paska nxjerrë me forcë nga greva e urisë artistët e teatrit të cilët, para ca ditësh, qenë futur në mbrojtje të kulturës shqiptare!...(Këtu nuk përmendet ai që i tërboi artistët, ministri i Kulturës së asaj kohe, Edi Rama).
E martë, 3 tetor 2000: “Sipas votimeve për rezultatet e votimit qeveritarët socialistë, në saje të mashtrimit dhe të shantazhit, paskan fituar mbi 70 %... Po sipas tyre ja një fakt interesant: Në kryeqytet, në Tiranë, nga 472.000 votues të regjistruar, për një ish-ministër paskan votuar 82.000 veta. Dhe me këto vota ai u shpall kryetar bashkie!... U shpall fitues më afërsisht një të gjashtën e votuesve të regjistruar!... Rast i paparë në botë... Kjo do të thotë, sipas mendimit tim, edhe një hap tjetër prapa për këtë vend!...”.
E mërkurë, 27 dhjetor 2000: “Ka më se një muaj që Shqipëria është zhytur në një errësirë të plotë: Pa drita e pa ujë!... Pa zjarr e pa ngrohje! Dhe fija e qiririt nuk po gjendet në treg!... Çdo gjë po shteron... Apo kjo është metoda komuniste që, kur e shohin popullin se po lëviz pak, kalojnë në të tilla masa, gjoja të pakuptueshme?!”.
Ja modeli i përsëritjes së kësaj lloj qeverisjeje, që po na jepet si model suksesi!
Propaganda e Ramës e tillë është: Dështimet të na i shesë për sukses qeverisjeje!