E Diel, 1 Nëntor 2026

Venecia, dhunohen pse ishin shqiptarë dy kamerierë



Venecia – Janë sulmuar dhe rrahur nga një grup personash të veshur me të gjelbër, por pas ngjarjes dy shqiptarët, të cilët punojnë si kamerierë në një restorant mbrapa sheshit “San Marko” në Venecia, denoncuan dhunën ndaj tyre. Episodi i ndodhur dje është konfirmuar dje për mediat italiane nga Kuestura e Venecias si dhe u njoftua nga këshilltari komunal i të gjelbërve, Beppe Cacia, për të cilin ngjarja është një agresion i qartë me motive raciste e vënë në jetë nga militantë të “Lega Nord”.
Ngjarja
Dy kamerierët që kanë marrë plagë të rënda, por sipas mjekëve jashtë rrezikut për jetën, janë shprehur se do të paraqesin padi bashkë me pronarin e restorantit. Ata do dëshmojnë se kanë patur një përplasje verbale me fjalë pak më para se të ndodhte agresioni fizik. Nga të njëjtat burime mësohet se dje rreth orës 11:40 në Bricola në Calle të Spechieri hyri një djalosh rreth të tridhjetave, i dehur që kishte vjedhur një bluzë me sloganin e Legistëve. Ai në fillim nisi të godiste me grushte vitrinën e Restorantit. Në këtë kohë njëri prej kamerierëve, me kombësi shqiptare shkoi për ta larguar. Pas kërkesës për largim nisën fyerjet. “Çfarë dreqin doni, më jepni të shoh lejet e qëndrimit tuaj”. Në atë kohë situata degjeneroi. Hynë më pas në restorant edhe 7-8 persona të veshur me të njëjtat bluza dhe më pas nisi një situatë e frikshme”, tregojnë punëtorët. “Ata hodhën poshtë shishet me birra, përmbysën e shkatërruan karrige e tavolina, duke shkaktuar një rrëmujë në gjysmën e lokalit. Kishim vërtet frikë”, tregojnë dëshmitarët. Agresioni më pas kulmoi me goditjen me shishe të kamerierit shqiptar. Më pas agresorët u larguan dhe u përfshinë në manifestimin që po mbante partia e Lega-s në ato momente.
Raste
Një shqiptar është vrarë më 20 korrik me armë zjarri në Gjenova të Italisë dhe dyshohet për racizëm. Viktima, 42 vjeç i cili nuk u identifikua nga policia italiane është qëlluar në kokë rreth orës 23:00 në lagjen Sampierdarena të Gjenovas. Plaga ka qenë fatale dhe i ka marrë jetën menjëherë të riut shqiptar. Në vendngjarje kanë mbërritur skuadra e seksionit të vrasjeve e cila ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin e viktimës dhe të autorit të krimit i cili është larguar menjëherë nga vendngjarja.

15 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›