Xhani: Shqetësuese rritja e rasteve me kancerin e prostatës
Përsa u përket sëmundjeve të prostatës, profesor Xhani thotë se kanceri i këtij organi ka vdekshmëri shumë të lartë, ndonëse në Shqipëri ende nuk ka statistika të sakta për vdekshmërinë. Sipas tij, sensibilizimi i shoqërisë dhe parandalimi në kohë i sëmundjes do t’i shërbente shumë popullatës. “Ne ende nuk kemi statistika të mira, por në Europë kanceri i prostatës është i dyti, pas atij të mushkërive, që shkakton vdekje. 10% e burrave që vuajnë nga kjo sëmundje i nënshtrohen mjekimit. Për fat të keq te ne të sëmurët vijnë shumë vonë. E gjithë strategjia jonë është që t’u paraprijmë”, - u shpreh dje profesor Xhani. Kanceri i prostatës është një sëmundje që shfaqet kryesisht te meshkujt mbi 50 vjeç. Sipas specialistëve, janë disa faktorë që luajnë rol në shfaqjen e kësaj sëmundjeje të tilla, si: mosha, hormonet, raca dhe gjenet. Kështu, studimet kanë zbuluar se te afro-amerikanët sëmundja përparon më shpejt se në grupet e tjera. Veç këtyre faktorëve njihen edhe disa faktorë të tjerë, si ushqimi dhe aktiviteti fizik, te të cilët ne mund të bëjmë diçka. Kanceri i prostatës është më i përhapur në vendet e zhvilluara dhe më pak në vendet e pazhvilluara. Mendohet se një shkak i këtij ndryshimi është mënyra e ushqimit. Në vendin tonë, vitet e fundit, me përmirësimin e standardit të jetesës dhe mënyrës së ushqimit, është rritur numri i rasteve me kancer të prostatës. Më parë, për shkak të kushteve ekonomike-sociale, kanceri i prostatës ka qenë më i rrallë.
15 Shtator 2009