Sherri, pronari i lokalit dyshohet se dhunoi dy klientë
Në Komisariatin e Policisë së Shijakut janë paraqitur për të bërë kallëzim penal 23-vjeçari Bekim H. dhe 18-vjeçari Ramazan T., që të dy banues në Sukth të Durrësit. Burime policore i thanë gazetës “Albania” se denoncimi i tyre mbërriti pasi tre ditë më parë, në lokalin “Montenegro” në Sukth, pas një sherri banal, këta dy persona janë goditur nga pronari i lokalit, Gëzim D., i vitlindjes 1971, lindur në Sukth dhe banues në Tiranë, në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar.
Sipas deklarimeve të të lartpërmendurve ata nën presionin e pistoletave janë shtrirë barkas në tokë dhe më pas janë goditur në kokë dhe në trup me qyt, si edhe grushte e shkelma.
Për pasojë, këta dy persona kanë marrë dëmtime në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit. Materialet mbi veprimet e para hetimore do t’i kalojnë prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore mbi veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosje”, “Prodhim dhe Armëmbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 89, 84, 278, 25 të Kodit Penal.
Tiranë
Goditet me sende të forta një 20-vjeçar, policia kap autorin
Një sherr për motive të dobëta ka vënë në rrezik jetën e një 20-vjeçari, i cili u qëllua me sende të forta nga një person. Ngjarja ndodhi dje në Tiranë kur Genci B., 20 vjeç, u qëllua me sende të forta nga Fatmir Doçi. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje për të zbuluar shkaqet dhe autorin e plagosjes. Burime nga policia thanë se dy të rinjtë janë grindur për motive të dobëta. Pas fjalëve fyese të ndërsjella, Doçi ka goditur 20-vjeçarin Genci B., i cili u transportua në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Policia mundi të kapte autorin e dyshuar Fatmir Doçi, i cili do të merret në pyetje.
15 Shtator 2009