E Diel, 1 Nëntor 2026

Venecia pranon shqyrtimin e neneve të diskutueshme të Kodit të ri

Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias dhe ODIHR, drekë pune me Kastriot Islamin dhe Ilir Rusmalin

Delegacioni i Komisionit të Venecias dhe ODIHR mbyll sot në mesditë misionin e tij opinion-mbledhës në terren në lidhje me atë se çfarë kërkojnë subjektet politike shqiptare për të përfshirë në reformën zgjedhore, për të dalë me një opinion në mes të dhjetorit. Për këtë qëllim, një delegacion i përbashkët i ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, i kryesuar nga Thomas Markert, është takuar dje me personalitetet më të larta shtetërore dhe kreun e opozitës, si dhe ka zhvilluar një drekë pune me të mandatuarit e dy forcave të mëdha për reformën zgjedhore, ku të pranishëm kanë qenë dhe kreu i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, si dhe sekretari socialist për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami. Mësohet se përfaqësuesit e huaj kanë dëgjuar pretendimet e palëve mbi mënyrën sesi e konceptojnë reformën zgjedhore dhe se çfarë duan që ajo të përfshijë. Ndryshe nga takimet e zhvilluara me drejtuesit e lartë dhe ato me drejtuesit e partive, në këtë drekë është folur për gjëra edhe më konkrete për parimet mbi të cilat do të zhvillohet kjo reformë. Burime pranë saj kanë bërë të ditur se për çështjet e nxehta që kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor apo balancimin e KQZ-së, nuk është folur në këtë takim, ndërsa mësohet se “miqtë” e Venecias dhe ODIHR-it kanë garantuar çështja e numërimit të fletëve të gabuara do të gjejë vend në opinionin që do të hartojë dhe do publikojë në dhjetor. Gjithashtu, ata kanë siguruar se ky opinion do të bazohet në rekomandimet e dhëna në raportin e ODIHR-it, si dhe në Kodin e Praktikave të Mira. Duket se përfaqësuesit socialistë u kanë marrë një favor të dërguarve të Venecias dhe ODIHR-it për sa i përket rrugës që do të ndiqet për gjykimin që do duhet të kërkojë komisioni i reformës zgjedhore për Çështje të Veçanta, që mund të dalin gjatë shqyrtimit të problematikave. Burime nga takimi kanë bërë të ditur se me kërkesë të ekspertëve të PS-së, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it kanë pranuar që të marrin në shqyrtim për vlerësim rast pas rasti çdo çështje për të cilën komisioni i reformës zgjedhore nuk do bjerë dakord. Ndërkohë më herët gjatë ditës, delegacioni u takua edhe me kryeministrin Berisha, kryetaren e Kuvendit, Topalli, kryetarin e opozitës, Rama si dhe me ministrin e Jashtëm, Haxhinasto.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›