Mbaron afati, KQZ nis djegien e fletëve të 8 majit
Zgjedhjet e 8 majit mund të konsiderohen tashmë në të gjitha kuptimet një çështje e mbyllur. Kjo pasi KQZ-ja do të nisë sot zbrazjen e kutive si dhe djegien e fletëve të votimit të përdorura në këto zgjedhje, duke i dhënë fund në këtë mënyrë çdo mundësie që organi i akuzës të mund të nisë ndonjë hetim të mundshëm për këqyrjen e kutive dhe materialeve zgjedhore në kuadër të padisë që kanë ngritur socialistët për këto zgjedhje.
Hapja e kutive
Ka skaduar afati që KQZ-ja i kishte lënë prokurorisë për të paraqitur ndonjë kërkesë në lidhje me hetimet e saj për padinë që PS ka paraqitur disa muaj më parë lidhur me disa pretendime për manipulime për zgjedhjet e 8 majit. Siç bëjnë të ditur burime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organi i akuzës nuk ka paraqitur ndonjë interes për këto kuti, ndaj sipas vendimit të marrë gati një muaj më parë, data 25 tetor përbën momentin kur ky institucion mund të nisë zbatimin e detyrimit të tij ligjor për boshatisjen e kutive dhe pastrimin e tyre për zgjedhjet e tjera. Burime pranë KQZ-së bëjnë me dije se drejtoria përkatëse ka marrë të gjitha masat për zbatimin e vendimit të KQZ-së, megjithëse gjatë ditës së sotme do duhet të kryejë dhe disa procedura të tjera të papërfunduara ende. Kështu, që vetëm nesër pritet të nisë puna në terren, pra në magazinat e KQZ-së në Lundër, punëtorët e pajtuar nga ky institucion do të nisin sipas radhës të ndjekin procedurat e hapjes së kutive. Fillimisht do të hapen kutitë e materialeve zgjedhore, ku do të veçohen listat e zgjedhësve dhe procesverbalet, të cilat do t’i kalojnë për administrim arkivit, si dhe materialet e tjera që mund të jenë të ripërdorshme dhe që mund të ndodhen brenda në kuti.
Fletët
Vetëm pas kësaj procedure do të nisë dhe hapja e kutive të fletëve të votimit. Në përgjithësi, si për kutitë e materialeve dhe ato të fletëve të votimit do të ndiqet e njëjta rrugë, pra ekzekutimi i vendimit të KQZ-së do të bëhet në mënyrë të ndarë për çdo qark. Kështu, vetëm pasi të mbarohet me një qark do të vijohet me një qark tjetër. Pas hapjes së kutive në magazinat e Lundrës, makinat e ushtrisë të ardhura në ndihmë të KQZ-së do të marrin fletët e votimit për t’i transportuar në vend-asgjësimet e përdorura edhe më parë buzë lumit Erzen, ku dhe do të digjen. Për kryerjen e procesit të djegies së fletëve në total janë 54 milionë lekë të reja, ndërsa si lëndë djegëse do të përdoret benzina që KQZ-ja ka gjendje që nga zgjedhjet e shkuara. Vlen të kujtohet në këtë rast se vendimi për hapjen e kutive dhe djegien e fletëve u mor nga KQZ-ja, edhe me konsensusin e anëtarëve të majtë të këtij institucioni.