E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Arvizu: Duhet debat i shëndetshëm dhe kompromis

Qëndrimi i Topallit: “Ajo që po bllokon integrimin e vendit është opozita.”

TIRANË Në konferencën me temë “Integrimi Euroatlantik dhe sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, e zhvilluar dje në Tiranë, në kuadrin e kryesimit nga Shqipëria të Kartës së Adriatikut, ambasadori i ShBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka deklaruar se Kuvendi duhet të jetë vendi i arritjes së kompromiseve. "Integrimi euroatlantik është një objektiv kombëtar, që kërkon përpjekje dhe sakrifica nga të gjithë popujt. Dhe si i tillë, bie mbi parlamentet. E këtu në Shqipëri, mbi Parlamentin Shqiptar. Këtu kam ndër mend kryetaren, zonjën Topalli, si edhe kryetarin e komisionit të Sigurisë, zotin Demi dhe tjerë, që të ndihmojnë për arritjen e një kompromisi, si edhe vizionin për të siguruar që vendi të ruajë kursin. Debati i shëndetshëm është jetik, por po ashtu është bashkëpunimi dhe kompromisi" - tha gjatë fjalës së tij Arvizu, ku ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, Topalli, kryeministri Berisha, delegacione të parlamenteve të Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, anëtarë të komisioneve të Sigurisë të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut etj. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi gjatë aktivitetit se Shqipëria ka bërë shumë gjatë këtyre 20 viteve, ndërsa ajo që po bllokon integrimin e vendit, sipas saj, është opozita. “Shqipëria është vendi që ka ndryshuar më shumë se çdo vend tjetër në këto 20 vjetët e fundit. Dhe kjo, vetëm për shkak të reformave. Shqipëria vazhdon me rritje të eksporteve, të investimeve të huaja, ndonëse është e rrethuar nga një krizë globale dhe serioze. Dhe ky është një tjetër dimension i sigurisë si një vend i NATO-s. Në Parlament ne kemi miratuar 400 ligje, që vareshin nga vota e mazhorancës. Por për fat të keq nuk kemi mundur për të kaluar 4 ligje, që kërkonin 3/5 e votave, që nuk vareshin vetëm nga mazhoranca, por edhe nga opozita. Këto të fundit kanë lënë Shqipërinë pa status, megjithatë ne shikojmë përpara", - tha Topalli. Aktiviteti u përshëndet dje edhe nga kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit tha se Karta e Adriatikut, menjëherë pas themelimit, u shndërrua në një mekanizëm të fuqishëm të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, në çështjet më sensitive të vendeve dhe kombeve, që janë çështjet e sigurisë.

Në këtë kontekst, Kryeministri siguroi se Shqipëria është dhe do të mbetet e hapur për bashkëpunimin më të ngushtë me këto vende dhe se do të mbështesë plotësisht aspiratën e kombeve të tyre, për anëtarësim të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. ”Është kjo nismë, e cila mirëpriti dhe mirëpret vende të tjera, si Malin e Zi, Bosnjën, mbetet e hapur plotësisht dhe funksionon me Serbinë dhe Kosovën. Nisma ‘Karta e Adriatikut 5’ sot, menjëherë pas themelimit, u shndërrua në një mekanizëm të fuqishëm të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal në çështjet më sensitive të vendeve dhe kombeve që janë, çështjet e sigurisë. Kjo Kartë shërbeu për ndërtimin me shpejtësi të urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve që më parë nuk e kishin parë me sy të mirë njëri-tjetrin dhe sot grupon vende, që deri dje kanë qenë armiq të egër ndaj njëri-tjetrit, por që kanë vullnetin për të shkruar një kapitull të ri në historinë e paqes, sigurisë, bashkëpunimit ndërmjet tyre,”- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›