Venediku në rrezik
Mijëra turistë e vizitojnë qytetin italian për çdo vit, të magjepsur me kanalet e bukura, gondolat e famshme dhe laguna, ndonëse të gjitha këto rrezikojnë të zhduken.
Niveli i ujit po rritet dita ditës, ndërsa projektet e mëdha të ndërtimit po rrisin gjithnjë e më shumë presionin ndaj qytetit dhe lagunës së Venedikut. Një qytezë tjetër e vogël turistike tashmë po ndërtohet pranë aeroportit, dhe ekzistojnë planet edhe për hapjen e një porti të ri, ku do të mund të ankorohen anije që bartin deri në 5,000 udhëtarë. Këtyre projekteve i shtohet plani për përfshirjen e Venedikut në vijën e shpejtë hekurudhore.
"Të gjitha këto spekulime po e kërcënojnë qytetin dhe lagunën", thotë Alessandra Mottola Molfino, kryetare e grupit të trashëgimisë kulturore Italia Nostra (Italia jonë). Sipas saj, ndërtimet po shkatërrojnë habitatin natyror të lagunës, ndërkohë që dëmi nga mijëra turistë do të rëndohet edhe më shumë. Edhe anijet e vogla janë shndërruar në problem për ndotjen, thotë Molfino.
"Të paktën tri anije të mëdha turistësh vijnë çdo ditë në Venedik. Andaj, vetëm gjatë një dite qyteti ndotet njësoj si të vinin 15,000 vetura përnjëherë” tha Alessandra Mottola Molfino.
Italia Nostra kërkon ndalimin hyrjen e anijeve të mëdha tejoqeanike në port, dhe që nga grupet tjera të turistëve të kërkohet rezervimi paraprak i terminëve për vizitë në Venedik.
Shqetësimi tjetër i madh i aktivistëve italianë është projekti i madh i ndërtimit që po vazhdon prej muajsh. Një investim prej pesë miliardë eurosh, parasheh ngritjen e pengesave të lëvizshme përreth lagunës, me qëllim të mbajtjes së nivelit të njëjtë të ujit. (DW)