E Diel, 1 Nëntor 2026

Venezuelë, polemika mes Chavezit dhe Vatikanit


Hugo Chavez, i cili njihet për stilin e tij të ashpër të komunikimit, tashmë e ka shtuar listën e armiqve të tij diplomatik. Pas problemeve diplomatike me SHBA-në dhe me aleatët e tij perëndimorë Hugo Chavez, presidenti i Venezuelës ka lëshuar akuza të ashpra ndaj shtetit më të vogël në botë, Vatikanit.
"Jezus Krishti nuk ka nevojë për ambasador," kjo fjali helmues e presidentit venezuelian i është drejtuar hierarkisë së Vatikanit dhe natyrisht personalisht kreut të saj, Papa Ratzinger.
Në deklaratën e tij të ashpër në drejtim të Vatikanit, Chavez është shprehur se shteti i tij do të rishikojë marrdhëniet me shtetin e Vatikanit. Gjithashtu presidenti populist i Venezuelës i ka kërkuar ministrit të jashtëm Nicolas Maduro, që të rishikojë disa vendime dhe marrëveshje që kanë lidhje me papatin e Kishës Katolike si edhe me shtetin e Vatikanit. Më tej Chavez është shprehur se Krishti mund ta gjejmë jo vetëm tek hierarkia e Kishës Katolike, por figura e këtij lideri shpirtëror është në popull, tek të gjithë ata njerëz të cilët luftojnë me kurajo për lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Këto deklarata të ashpra të Hugo Chavez vinë disa ditë pas akuzave të ashpra të kryepeshkopit katolik në Venezuelë, Jorge Urosa.
Urosa e akuzoi Chavezin se ai kishte një koncept marksist përsa i përket vijës ideologjike të drejtimit të vendit. Ky fakt sipas drejtuesit të kishës së Karakasit shihej edhe në mënyrën se si qeveria e konceptonte kishën katolike si institucion.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›